Në fjalimin e saj të parë vjetor për gjendjen e Bashkimit Europian, Ursula Von der Lajen e bëri të qartë se vlerat europiane janë të patjetërsueshme. Kryetarja e KE-së u fokusua në një pjesë të madhe të kohës tek sfidat ekonomike prej pandemisë, por mesazhin më të fortë, e la për në fund.

“Duhet të rindërtojmë besimin mes nesh dhe të ecim përpara së bashku. Ky besim qëndron në zemër të Unionit tonë dhe mënyrës se si i bëjmë gjërat së bashku. ai spirancën e ka në vlerat tona themeluese, demokracitë tona dhe në Komunitetin tonë të Ligjit.”

Por ndërkohë, korrespondentja e MIA-s në Bruksel, thotë se Von der Leyen ka mbrojtur vendimin për çeljen e negociatave te pranimit me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

“Ky ishte një hap historik. E ardhmja e rajonit është në BE, ne ndajmë histori të njëjtë dhe fat të njëjtë. Ballkani Perëndimor është pjesë e Europës. Ata nuk janë vetëm një ndalesë në Rrugën e Mëndafshit ”, citohet të ketë thënë Von der Lajen.

Ajo konfirmoi se gjatë javëve të ardhshme,  Komisioni Europian do të prezantojë paketë të re për rimëkëmbje ekonomike për të gjithë rajonin. Sipas informacioneve të MIA-s, pritet që KE-ja të ndajë rreth nëntë miliardë euro për zhvillim rajonal të Ballkanit Perëndimor, kryesisht si projekteve infrastrukturore dhe lidhjes së vendeve të rajonit mes tyre.

Top Channel