Hapja e listave dhe koalicionet parazgjedhore/ ODIHR për Top Channel: Gati të mbështesim Këshillin Politik

16/09/2020 16:07

Reforma Zgjedhore ka mbetur pezull për shkak të mosdakortësisë së aktorëve politikë sa i takon dy çështjeve të nxehta, hapjes së listave dhe formulës së koalicioneve.

Opozita jo parlamentare këmbëngul në marrjen e ekspertizës së ODIHR, por socialistët kërkojnë që më parë të hartohen draftet e më pas të merret mendimi ndërkombëtar.

Top Channel pyeti zyrën e ODIHR në Varshavë lidhur me kërkesën e Partisë Demokratike dhe në përgjigjen që mori thuhet se “ODIHR mbështeti punën e Komisonit Parlamentar Ad-Hoc dhe Këshillit Politik përpara miratimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor këtë verë. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të mbështesim Këshillin dhe shpresojmë të marrim detaje në lidhje me aktivitetet e këtij Këshilli dhe se si mund të japim një ndihme konkrete. ODIHR mbetet i gatshëm të mbështesë Shqipërinë në adresimin e rekomandimeve tona zgjedhore”, mbyllet reagimi i zyrës së ODIHR .

Mazhoranca i ka lënë afat PD-LSI ditën e premte për dorëzimin e propozimeve sa i takon koalicioneve zgjedhore, pragut elektoral dhe hapjes së listave në të kundërt Parlamenti është sovran, ka deklaruar i mandatuari socialist në Këshillin Politik Damian Gjiknuri.

Top Channel