Vjosa Osmani e konsideron të gabueshëm diskutimin e çështjeve “të mbyllura” në Bruksel

15/09/2020 16:41

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të martën se transparenca e plotë është e domosdoshme në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo i ka bërë këto komente gjatë një takimi me përfaqësuesin special të Norvegjisë, Aarne Sannes Bjornstad në ambientet e kuvendit.

Sa i përket dialogut, Osmani e ka konsideruar gabim serioz, faktin që në këtë proces po hapen, siç ka thënë ajo, çështje tashmë të mbyllura dhe çështje të rregullimit të brendshëm që tashmë janë shpallur jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese.

“Legjitimiteti, përgatitja, përvoja dhe arritja e unitetit politik janë formula e vetme për sukses në dialog”, ka deklaruar ajo.

Si kryeparlamentarja Osmani, ashtu edhe Bjornstad janë cituar të kenë thënë se procesi i dialogut mes këtyre dy shteteve duhet të kalojë përmes Kuvendit të Kosovës, dhe se duhet të sigurohet që ky institucion të ketë rol aktiv.

E intervistuar nga Radio Evropa e Lirë, Osmani ka thënë një javë më parë se Kosova ka pritur më shumë nga takimi i 4 shtatorit në Uashington. Sipas saj, delegacioni i Kosovës ka humbur një mundësi të madhe që t’i shtyjë përpara interesat e Kosovës.

Mes tjerash, Osmani ka thënë se delegacioni i Kosovës në Uashington, nuk ka arritur t’i sjellë vendit pikërisht ato që u premtoi qytetarëve dhe kuvendit për një kohë të gjatë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit Trump.

Dy palët, megjithatë, nuk i kanë hedhur nënshkrimet në dokumentin e njëjtë, por secila veç e veç i ka nënshkruar zotimet e saj.

Trump, në anën tjetër, ka nënshkruar një letër, përmes së cilës i ka përgëzuar palët për guxim drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Top Channel