Palestinezët e morën me shqetësim lajmin për transferimin e mundshëm të Ambasadës së Serbisë nga Tel Avivi në Jerusalem, tha ambasadori palestinez në Beograd, Muhammed Nabhan, në një takim që zhvilloi të martën me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Nabhan shprehu bindjen se udhëheqja e Serbisë, “në frymën e miqësisë tradicionale”, do t’i respektojë pikëpamjet e popullit palestinez, thuhet në një komunikatë të Presidencës së Serbisë, të cilën e transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Vuçiç, në anën tjetër, e siguroi ambasadorin Nabhan se Serbia e respekton dhe e ruan miqësinë me palestinezët dhe e mbështet vendosjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Lindjen e Mesme.

“Serbia është e përkushtuar ndaj përparimit të marrëdhënieve edhe me Izraelin, edhe me palestinezët dhe dëshiron zgjidhje të qëndrueshme, të bazuar në normat ndërkombëtare të së drejtës publike, që janë vendosur në Kombet e Bashkuara dhe që do të sillnin paqe, stabilitet dhe përparim për të gjithë”, tha Vuçiç.

“Presidenti Vuçiç e falënderoi udhëheqjen palestineze për mbështetjen e saj politike për sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë dhe për qëndrimin e saj parimor ndaj mosnjohjes së pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës”, thuhet po ashtu në komunikatën e Presidencës serbe.

Me marrëveshjen e nënshkruar me Kosovën, për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, parashihet zhvendosja e Ambasadës së Serbisë nga Tel Avivi në Jerusalem dhe njohja e ndërsjellë midis Kosovës dhe Izraelit.

Kjo marrëveshje është nënshkruar nga Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

I pranishëm në ceremoni ka qenë edhe presidenti amerikan, Donald Trump.

Statusi i Jerusalemit është një çështje e diskutueshme midis izraelitëve dhe palestinezëve.

Izraeli e pretendon të tërin si kryeqytet të vetin, ndërsa palestinezët e shohin Jerusalemin Lindor – i cili është pushtuar nga Izraeli në vitin 1967 – si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.

Në vitin 2017, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur ta njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe, në bazë të atij vendimi, kanë bartur ambasadën në Jerusalem.

Megjithatë, pak shtete – nga Bashkimi Evropian asnjë – e kanë ndjekur një hap të tillë.REL

Top Channel