Kosova/ Rrjeti i Grave reagon për uljen e dënimit ndaj Pjetër Ndrecajt që vrau gruan dhe vajzën e tij

14/09/2020 13:18

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka reaguar për uljen e dënimit ndaj Pjetër Ndrecaj, i cili në mbrëmjen e shtatë gushtit të 2018-tës, kishte vrarë gruan e tij Valbonën dhe vajzën e tij.

Gjykata Themelore në Gjakovë e ka dënuar Pjetër Ndrecajn me 24 vjet e gjysmë burg dhe po ashtu dënohet më vit burg për armëmbajtje pa leje.

Rrjeti i Grave të Kosovës është shprehur shqetësuese për një dënim të këtij lloji.

Në reagimin e RrGK-së thuhet se dënimi prej 24 vite e gjysmë burg, i shqiptuar pas rigjykimit ndaj Ndrecajt është në kundërshtim të plotë përveç me rrethanat e kryerjes së veprës po ashtu edhe me rregullat e përgjithshme me të cilat parashihet zbutja apo ashpërsimi i dënimit.

“Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) me shqetësim të thellë ka pranuar vendimin e sotëm të Gjykatës Themelore të Gjakovës për uljen e dënimit për Pjetër Ndrecajn, për vrasjen brutale të bashkëshortes dhe vajzës së tij, në gusht të vitit 2018. Dënimi prej 24 vite e gjysmë burg, i shqiptuar pas rigjykimit ndaj Ndrecajt është në kundërshtim të plotë, përveç me rrethanat e kryerjes së veprës, po ashtu edhe me rregullat e përgjithshme me të cilat parashihet zbutja apo ashpërsimi i dënimit”, thuhet në reagimin e RrGK.

Tutje RrGK, shpjegon pse ndaj Ndrecajt do të duhej të shqiptohej dënim me burg të përjetshëm.

“Vepra penale “Vrasje e rëndë” në rastin Ndrecaj bart në vete dy kualifikime ligjore; vrasjen e bashkëshortes së tij, Valbona Ndrecaj si dhe vrasjen e fëmijës (vajzës 9 vjeçare). Për këtë vepër penale parashihet dënim me burgim të përjetshëm, në rastin konkret rrethanat e kryerjes së kësaj vepre, siç janë; mënyra e kryerjes së vrasjeve dhe fakti që viktimat kanë qenë të pambrojtura është dashur të ndikojnë në ashpërsimin e dënimit duke ju shqiptuar dënim me burg të përjetshëm të pandehurit Ndrecaj”, thuhet mes tjerash në RrGK.

Top Channel