Letrat e dashurisë të Tupac-ut adoleshent dhe kurora e famshme e reperit Biggie do të dalin në ankand këtë muaj në shtëpinë e ankandeve Sotheby’s në të parin event të dedikuar tërësisht hip hopit.
Letrat dhe kurora do të dalin në shitje më 15 shtator, e bashkë me to do të jenë në ofertë edhe 120 lote të tjera, përfshirë veshje, bizhuteri, vepra arti etj, të artistëve të zhanrit të lindur në Bronx.
Kurora, është një mit, që i famshmi B.I.G., i njohur për këngët e tij si Juicy, Big Poppa dhe Hypnotize, vendosi në kokë në seancën e fundit të fotografimit në 1997, vetëm tre ditë para se ai të vritej në Los Angeles.
Fotografi Barron Claiborne, që edhe fiksoi imazhet e pavdekshme të artistit që lindi si Kristofer Uallace, e nxori në shitje artefaktin që pritet të kapë një vlerë nga 200 deri në 300 mijë dollarë. E kjo është një shumë e madhe për një kurorë plastike që Shon Diddy Combs, në atë kohë producent i Biggie-t, druante se do ta bënte superstarin e tij të hip hopit të ngjasonte si mbreti i Burgerave dhe jo mbreti i Nju Jorkut.
Ndërsa letrat e shkruara nga Tupac Shakur, për të dashurën e tij, Kathy Loy, kur ishte adoleshent në Baltimore janë plot 22. Tupac, mes hiteve të të cilit janë California, Changes, Dear Mama dhe All Eyez On Me, po ashtu u vra disa muaj para Biggie-t. Të dyja vrasjet e yjeve më me ndikim të hip hopit, mbeten ende të pazgjidhura. Letrat pritet të shiten për të paktën 60 deri në 80 mijë dollarë.
Top Channel