Tsikahnouskaya: Bjellorusia në një pikë pa kthim

10/09/2020 04:20

Udhëheqësja e opozitës bjelloruse, Sviatlana Tsikhanouskaya tha të mërkurën se protestat në vendin e saj nuk do të fashiteshin dhe se nuk ka më kthim pas. Zonja Tsikhanouskaya, e cila ndodhet në mërgim që pas zgjedhjeve të 9 gushtit foli në Varshavë. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara dënuan përpjekjet e qeverisë bjelloruse për të dëbuar me forcë aktivisten e opozitës, Maria Kolesnikova.

Zonja Tsikhanouskaya tha se zërat e bjellorusëve ishin vjedhur në zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit, që sipas rezultateve zyrtare u fituan nga Aleksander Lukashenko me 80% të votës. “Nuk ka dyshim se për kë votuan bjellorusët. Unë e di që u zgjodha si presidente e republikës së Bjellorusisë por duke qenë se të gjitha zërat u vodhën, nuk mund ta provojmë”, tha zonja Tsikhanouskaya.

Ajo shtoi se bjellorusët ishin në mes të luftës së tyre. “Protestat tona kanë filluan në maj dhe nuk do të fashiten. Nuk ka më kthim pas”, tha ajo.
Zonja Tsikhanouskaya, tha se protestat nuk do do të ndalen por shtoi se ato duhet të mbeten paqësore. “Besoj se është e pamundur që të luftohet dhuna me dhunë. Regjimi tregon dobësinë e tij, kur dërgon ushtarë kundër grave të paarmatosura që këndojnë”, tha ajo.

Po të mërkurën Ministrat e Jashtëm të Lituanisë dhe Suedisë, konfirmuan se diplomatët e tyre ishin aktualisht me Svetlana Alexievichin, e vetmja anëtare e këshillit të opozitës bjelloruse që ka mbetur e lirë, ndërsa “njerëz të panjohur” përpiqeshin të hynin në apartamentin e saj.

Linas Linkevicius, Ministër i Jashtëm i Lituanisë tha në një mesazh drejtuar qeverisë bjelloruse: “Duart larg, mos trokisni në derën e Svetlana Alexievich-it. Bëjini thirrje ndërgjegjes suaj nëse nuk është shumë vonë”. Alexievich është fituese e çmimit Nobel për letërsinë. Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara nga përpjekjet e qeverisë për të dëbuar me force aktivisten e opozitës Maria Kolesnikova.

Kryediplomati amerikan tha se Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera po konsiderojnë mundësinë e vendosjes së sanksioneve në përgigje të ngjarjeve të fundit në Bjellorusi. Zoti Lukashenko ka sunduar në ish-republikën sovjetike me 9.5 milionë banorë që nga viti 1994 dhe gjatë 26 viteve në detyrë, ka shtypur figurat e opozitës dhe median e pavarur.

Por këtë vit protestuesit, të pakënaqur me standardet në rënie të jetesës dhe shpërfilljen e Lukashenkos ndaj pandemisë së koronavirusit kanë paraqitur sfidën më të madhe ndaj regjimit të tij.Zonja Tsikhanouskaya u largua në Lituani mes protestave masive dhe zërave për arrestimin e mundshëm të saj. Pas masave shtypëse nga policia ndaj protestave pas zgjedhjeve që shkaktuan reagim ndërkombëtar, autoritetet bjelloruse tani kanë ndërruar taktikë duke përdorur kërcënime dhe arrestime aktivistësh dhe demonstruesish për të shtypur kundërshtarët./VOA

Top Channel