Pas një periudhe të gjatë stabilizimi, e cila ushqeu shpresat se në Italinë e kthyer në njërin prej vendeve më të goditura nga koronavirusi gjendja po ecte drejt ritme te shpejta drejt një përmirësimi të ndjeshëm, shifrat e reja kanë mbjellë sërish shqetësim.

Gati 1.600 raste të tjera pozitivë janë shënuar në fqinjin tonë përtej Adriatikut gjatë 24 orëve të fundit, të zbuluara siç thonë dhe autoritetet falë një shtimi të testeve të realizuara. Ndërkohë nga Covid 19 regjistrohen 10 viktima, ndërsa është në rritje dhe numri i të shtruarve ne terapi intensive. Aktualisht, bilanci total i jetëve të humbura atje llogaritet në mbi 35.500, ndërsa të prekurit janë 283,000.

Ndërkohë, numri global i vdekjeve nga pandemia e koronavirusit arriti në mbi 900,000, sipas Universitetit Johns Hopkins, ndërsa infektimet kapin shifrën 27.7 milionë. E gjithë kjo në kohën kur kompania lider në garën globale për prodhimin e një vaksine kundër sëmundjes, AstraZeneca i ndërpreu testet dhe studimin klinik për shkak se një vullnetar pati probleme të pashpjegueshme shëndetësore. Megjithatë, kompania britanike sqaroi se pezullimi i përkohshëm i studimit është një masë rutinë për raste të tilla.

Top Channel