Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ndodhet për të dytën herë gjatë kësaj jave në Bruksel. Ai do të ketë një takim me presidentin e Parlamentit Evropian (PE), David Sassoli dhe do të marrë pjesë në një debat në Komisionin e Politikës së Jashtme të këtij Parlamenti.
Parlamenti Evropian ka paralajmëruar se do të diskutohet për situatën në Kosovë dhe në rajon, për ecurinë e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që po vazhdon me ndërmjetësimin e BE-së dhe për liberalizimin e vizave për Kosovën. Parlamenti Evropian ka rikujtuar se në vazhdimësi ka mbështetur procesin e dialogut dhe rrugën e Kosovës në integrimet evropiane.
Procesin e liberalizimit të vizave, Parlamenti Evropian vazhdon ta cilësojë si vonesë të panevojshme dhe të dëmshme. PE-ja ka mbështetur rekomandimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, por ky vendim nuk ka kaluar ende në Këshill ku vendosin shtetet anëtare me shumicë të kualifikuar të votave. Prandaj, pritet që edhe gjatë debatit me kryeministrin e Kosovës, deputetët e Parlamentit Evropian të përsërisin thirrjen që sa më shpejt të përmbyllet procesi i liberalizmit të vizave.
Top Channel