Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ndodhet sot (10 shtator) për të dytën herë gjatë kësaj jave në Bruksel. Ai do të ketë një takim me presidentin e Parlamentit Evropian (PE), David Sassoli dhe do të marrë pjesë në një debat në Komisionin e Politikës së Jashtme të këtij Parlamenti.
Parlamenti Evropian ka paralajmëruar se do të diskutohet për situatën në Kosovë dhe në rajon, për ecurinë e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që po vazhdon me ndërmjetësimin e BE-së dhe për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Parlamenti Evropian ka rikujtuar se në vazhdimësi ka mbështetur procesin e dialogut dhe rrugën e Kosovës në integrimet evropiane.
Procesin e liberalizimit të vizave, Parlamenti Evropian vazhdon ta cilësojë si vonesë të panevojshme dhe të dëmshme.
PE-ja ka mbështetur rekomandimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, por ky vendim nuk ka kaluar ende në Këshill ku vendosin shtetet anëtare me shumicë të kualifikuar të votave.
Prandaj, pritet që edhe sot gjatë debatit me kryeministrin e Kosovës, deputetët e Parlamentit Evropian të përsërisin thirrjen që sa më shpejt të përmbyllet procesi i liberalizmit të vizave.
Selia e Komisionit Evropian.
LEXONI EDHE KËTË:
Gjermania pro liberalizimit, por disa vende ende hezitojnë
Një një njoftim të dërguar nga Komisioni për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian është thënë, po ashtu, se presin nga kryeministri i Kosovës që t’i njoftoj edhe për rrjedhën e dialogut me Serbinë.
Hoti në fillim të javës kishte qëndruar në Bruksel për takim dypalësh që pati me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Një takim i tillë pritet të zhvillohet në fund të këtij muaj përsëri, ndërkohë që priten takime të ekspertëve gjatë javës së ardhshme.
Top Channel