Përsëri ka shpërthyer zjarr në kampin e refugjatëve në Moria të ishullit të Lesvos siç bëjnë me dije mediat greke. Pamjet televizive tregojnë se edhe ato pak çadra që kishin mbetur pa u djegur nga zjarri i mbrëmjes së kaluar tashmë janë shkrumbuar. Refugjatët dhe emigrantët që janë kthyer për të marrë ato pak plaçka që ju kishin mbetur, janë gjetur përsëri mes flakësh.

Bëhet fjalë për dy vatra zjarri brenda kampit famëkeq. Ndërkohë vazhdojnë hetimet për zbulimin e shkaqeve të zjarrit të natës së kaluar, proces në të cilin tashmë po marrin pjesë edhe specialistë të Shërbimit Informativ Kombëtar.

Sipas deklaratave të ministrit të Emigracionit dhe Azilit si dhe atij të Brendshëm një anije pasagjerësh dhe dy anije mallrash do të strehojnë përkohësisht të paktën 2000 nga 13000 emigrantët që qëndronin në këtë kamp, ndërsa pritet që në ishull të shkojnë edhe disa anije të tjera që do të shërbejnë si vend strehues për familjet dhe fëmijët. Pjesa tjetër po sistemohet në çadra të reja që kanë mbërritur nga organet lokale.

Ndërkohë me 3 fluturime charter largohen nga ishulli drejt vendeve të Europës qendrore 400 fëmijë të pashoqëruar që ndodheshin në këtë kamp.

Bëhej me dije gjithashtu se vetëm 8 nga 35 personat që u gjetën pozitive me covid 19 janë gjetur pas zjarrit të ditës së djeshme, kurse të tjerët ende qëndrojnë të fshehur duke shkaktuar shqetësim tek organet greke. Prej ditës së nesërme fillojnë teste edhe për banoret e ishullit, ndërsa OBSH do të përforcojë me mjekë dhe personel te specializuar qendrat e pritjes së emigrantëve.

 

Top Channel