Këtë vit del në pension, Veliaj surprizon drejtorin e shkollës “Konferenca Pezës” (Video)

09/09/2020 17:03

Përpara fillimit të takimit të sotëm me drejtorët e shkollave në kuadër të planit të masave për vitin e ri akademik, kryebashkiaku Erion Veliaj kishte rezervuar edhe një surprizë të bukur për Petraq Tilin, drejtorin e shkollës “Konferenca Pezës” që këtë vit del në pension.

Teksa i dhuroi një buqetë lule në shenjë mirënjohje për përkushtimin e tij ndër vite në arsim, Veliaj tha se ishte i nderuar që kishte gjetur një mik me të cilin çliruan hapësirat e shkollës “Konferenca Pezës” nga ndërtimet pa leje dhe ia rikthyen nxënësve.

“U bëmë 5 vite bashkë dallohemi vetëm duke parë sytë dhe unë e di ekzaktësisht se kush jeni pjesa më e madhe prej jush, disa janë të rinj. Disa të rinj kanë zëvendësuar drejtorët që kanë dalë në pension. Unë doja që ta filloja duke ftuar drejtor Petraqin, Petraq Tilin nga “Konferenca Pezës”, i cili këtë vit do të dali në pension. Unë personalisht njëherë ndihem i nderuar sepse bashkë kemi punuar shumë, kemi çliruar një shkollë si “Konferenca Pezës” nga zaptimi, nga të gjitha ato çudira që kemi gjetur, kemi ende punë për të bërë për të liruar edhe ato dy ndërtesat e fundit tek oborri për ti bërë edhe fushat jashtë si brenda. Unë të jam pafund mirënjohës, ku thonë “trimi i mirë me shokë shumë” të kisha shok ty, pa ty nuk do t’ia kisha dalë. Një shkollë që është në një zonë super të urbanizuar, të super zaptuar ndër vite, por kemi bërë një mrekulli dhe jam i lumtur që ti del në pension duke lënë një pajë për të gjithë gjeneratën tjetër. Nëqoftëse do të bësh një përshëndetje para se shokët të duartrokasin ky është moment yt”, deklaroi Veliaj.

Mes emocioneve, Petraq Tili e falënderoi kryebashkiakun Veliaj për transformimin e shkollës ku ai punoi dhe drejtoi për vite të tëra. “Kryetar në radhë të parë dua të falënderoj ty! Për të tërë atë që ke bërë për shkollën “Konferenca Pezës”, e cila normalisht ndryshoj të tërë infrastrukturën e jashtme dhe të brendshme të shkollës. Pa ndërhyrjen tënde, pa ndihmën tënde ajo do ishte e pamundur të ndryshohej. Kështu që në emër të komunitetit, në emër të prindërve, në emër të tërë stafit mësimor uroj kryetarin e bashkis Erion Veliaj”, tha mësuesi i njohur i qytetit të Tiranës.

Top Channel