Turqia shpalos forcën! Stërvitje në Qipron e Veriut

07/09/2020 11:58

Forcat e armatosura turke nisën stërvitjen e përvitshme në Qipron veriore, një entitet ky i njohur vetëm nga Ankaraja, ndërkohë që tensionet me Greqinë, në Mesdheun lindor janë në kulm.

Vrapi i Turqisë për të gjetur rezerva gazi dhe nafte në ujërat që pretendohen nga Greqia, ka acaruar shumë marrëdhëniet mes dy vendeve anëtare të NATO-s. Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan i hodhi akoma më shumë benzinë zjarrit, duke paralajmëruar Greqinë se nëse nuk do të kuptonte gjuhën e politikës dhe diplomacisë, do të përballej me eksperienca të hidhura.

Stërvitja në Qipron turke, është quajtur Stuhi në Mesdhe. Zëvendëspresidenti i Qipros së veriut, Fuat Oktay, shkruante në Twitter, se prioritetet e sigurisë së vendit dhe të forcave të republikës turke të Qipros së veriut, janë thelbësore.

Ministria turke e Mbrojtjes po ashtu shkroi në Twitter se stërvitja, që do të zgjasë deri të enjten, ka nisur dhe po vijon me sukses. Qipro është e ndarë mes Qipros greke në jug, anëtare e BE, dhe Qipros turke, në veri. Turqia ka vendosur dhjetëra e mijëra trupa në veri të ishullit që nga pushtimi i saj në 1974, që pasoi një grusht shteti të arkitektuar nga sundimtarët ushtarake në Athinë.

 

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA