Liderët e Kosovës dhe Serbisë, Avdullah Hoti dhe Aleksandar Vuçiç kanë arritur të përafrojnë në Bruksel qëndrimet e tyre për temën e të zhvendosurve, të zhdukurve si dhe atë për bashkëpunimin ekonomik.

Ata konfirmuan se gjatë takimit në Bruksel, i cili vjen shumë pak pas atij të Washingtonit, hapën dy tema të reja: Asociacionin e komunave serbe dhe zgjidhjen e kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronësore. Përballja në kryeqytetin belg u ndërmjetësia nga përfaqësuesi i lartë të BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i bllokut për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Hoti sqaroi më pas se pjesëmarrja e tij në Bruksel i detyrohet vetëm hartimit të një marrëveshjeje finale, e cila sipas tij duhet të përfshijë njohjen reciproke. “Ne jemi në Bruksel vetëm për këtë çështje, për të treguar konstruktivitetin tonë si qeveri, si shtet që jemi të gatshëm të lëvizim përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve në mes të dy vendeve”, tha ai. Vuçiç nga ana tjetër përmendi vështirësitë. Sipas tij, në kuadër të dialogut tani po trajtohen çështje jot ë lehta dhe theksoi se palët kanë pikëpamje të ndryshme.

Kjo për kreun e shtetit serb, bën që bisedimet të jenë më të komplikuara dhe më të vështira. Por në fund, u shpreh se “ nuk është i pakënaqur me takimin e sotëm, ndërsa sqaroi se pala serbe kishte hapur aty çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe se për këtë temë do të diskutohet edhe në raundin e ri të bisedimeve. Takimi i radhës për dialogun në nivel politik mes Hotit dhe Vuçiç me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian është caktuar të mbahet më 28 shtator.

Top Channel