“Humbja e gjyqit, faji i LSI”/ Ministria e Infrastrukturës i akuzon për rrugën Elbasan-Tiranë

07/09/2020 19:51

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ia atribuon faturën financiare prej 44 milionë eurosh për prishjen e kontratës me firmën “Aktor” për rrugën Tiranë-Elbasan ish-ministrave dhe drejtuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Përmes një reagimi zyrtar, Ministria shpjegon se ngërçi me kontratën ka nisur që në lidhje të saj në vitin 2012, kur në pushtet ishte Partia Demokratike.

Por, abuzimet më të mëdha të përkthyera në kosto shtesë janë kryer gjatë vitit 2015 me ndryshimet e herëpashershme gjatë 2015-ës, kohë kur drejtuesit e Ministrisë së Transportit dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar vinin nga radhët e LSI-së.

“Vendimi i fundit i arbitrazhit vërteton dhe njëherë se ndryshimet e njëpasnjëshme në këtë projekt, sipas oreksit të ministrave dhe drejtorëve që ndërroheshin dhe i përkisnin LSI, të ndjekur penalisht për shkeljet e kryera, do pasoheshin me faturë financiare për shqiptarët.”

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaron se ka vënë në dispozicion të prokurorisë të gjithë dokumentet e nevojshme për zbardhjen e çështjes Tiranë-Elbasan, projekt që u ka kushtuar shqiptarëve miliona euro me ndryshimet e kontratës dhe së fundmi me vendimin e arbitrazhit.

Opozita ka akuzuar se gjyqi u humb për afera korruptive në mënyrë që të përfitonte biznesmeni Edmond Bego, por kompania ‘Inert Expres ka pasur një kontratë me kompaninë greke “Aktor” që prej vitit 2012 kur ministër ishte Sokol Olldashi, ndryshe nga pretendimi se “Inert Expres” favorizua duke larguar ndërtuesit grekë.

Genta Dobra

Top Channel