Bisedimet janë të vështira, por në tavolinë ekzistojnë propozime interesante dhe të mira kur bëhet fjalë për ekonominë, ka thënë Marko Çadezh, drejtor i Odës Ekonomike të Serbisë, gjatë pushimit ndërmjet takimeve mes zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë.

Ai theksoi se ekzistojnë “projekte mjaft konkete për mbështetjen e sektorit privat”.

“Bëhet fjalë për projekte konkrete dhe ambasadori (i dërguari i posaçëm i presidentit të SHBA-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard) Grenell ka nisur që të vendosë bisedimet në anën e ekonomisë. E rëndësishme është që ato projekte që janë në tavolinë, janë projekte për të ardhmen”, tha ai, duke shtuar se “ata janë këtu që të ndihmojnë dhe të krijojnë vende të punës dhe që të rinjtë të mund të planifikojnë familjet e tyre, pavarësisht se a jetojnë në Kragujevc, Nish, Pejë, prizren, begrad apo Prishtinë”.

Megjithatë, ai nuk ka mundur që të precizojë se për cilat projekte konkrete bëhet fjalë.

Çadezh thotë që problemet politike ekzistojnë shumë gjatë dhe se ai nuk beson që ato mund të zgjidhen për një ditë.

“Por, është e rëndësishme që të bisedohet dhe pjesa ekonomike, me siguri që do të ndikojë për atë që në të ardhmen të bisedojmë edhe për pjesën politike”, theksoi Çadezh.

Ministri i Financave i dhe anëtar i delegacionit të Serbisë, Sinisha Malli ka deklaruar më herët që Serbia gjatë bisedimeve “po lufton për secilën fjali dhe secilën fjalë” dhe se në vend të pikave për çështje ekonomike, kanë marrë pikat politike të marrëveshjes, në mesin e të cilave edhe ajo për njohen e ndërsjellë.

Por, këtë deklaratë, pak më vonë e ka demantuar Richard Grenell, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter.

Nikoqirë të takimit janë këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, si dhe i dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Para fillimit të bisedimeve të enjten, Grenell ka thënë se populli i Kosovës dhe ai i Serbisë meritojnë normalizimin ekonomik dhe mundësinë për të krijuar një ekonomi gjallëruese.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, para takimit në Shtëpinë e Bardhë të enjten, ka deklaruar se asnjë diskutim tjetër nuk bëhet me Serbinë, përveç se për njohje reciproke.

Ky është takimi i dytë i thirrur nga Uashingtoni. Një takim i planifikuar më 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.

Top Channel