PSG nën ‘kthetrat’ e pandemisë/ 3 lojtarë me covid, mes tyre dhe Neymar

02/09/2020 17:14

Deri pak ditë më parë Paris Sën Zhermen ishte një nga të paktët klube në ligën franceze së bashku me Metz dhe Reims, që i kishte shpëtuar kthetrave të pandemisë. Por mjaftoi një javë festë dhe pushime luksoze, për të ndryshuar gjithçka.

Klubi transalpin zyrtarizoi 3 futbollistë pozitiv me koronavirus, dy argjentinasit Di Maria dhe Paredes si dhe sulmuesin brazilian Nejmar. Protagonistët e disa festave të shfrenuara në ditët e fundit në ishullin e Ibizës së bashku me Ikardi, Navas, Riko dhe Verrati, dolën me simptoma të Covid-19 dhe kjo rrezikon startin e kampionatit francez të futbollit për ekipin më të titulluar.

Paris Sën Zhermen që kishte provokuar polemika pasi detyroi lens të shtynte javën e dytë për shkak të ecurisë së gjatë në Champions league, tani jo vetëm rrezikon kalendarin e afërt, por gjithashtu dhe ndeshjen e 13 Shtatorit. Në këtë datë është parashikuar klasikja e famshme ndaj Marsejës, ndeshja më tërheqëse në Francë që përfshin të drejtat televizive, sponsorët e një lumë të tërë parash.

Sipas rregullores, Federata mund të anulojë ndeshjen nëse ka 4 të infektuar ose më shumë. por klubet insistojë për të vazhduar kampionatin, me kushtin e vetëm e të pranueshëm, që në Ligën transalpine çdo ekip të ketë 20 lojtarë të disponueshëm, sigurisht jo pozitiv me koronavirus.

Top Channel