Drejtuesit e Manchester United sigurojnë marrëveshjen me krerët e Ajaksit për mesfushorin Donny van de Beek. Për 23-vjeçarin e përfaqësueses holandeze më herët kishin krijuar interesim gjithashtu edhe klube si Reali i Madridit, Totenhami, Interi, Juventusi apo dhe Barcelona, por në fund, me sa kuptohet, mesfushori i Ajaksit vendos të largohet nga Eeredivisie, për t’u zhvendosur në Premier League, në radhët e “Djajve të Kuq”.

Një histori e gjatë e mbushur plot spekulime mediatike, megjithatë tani gjithçka merr pothuajse formë zyrtare dhe burime pranë United lënë të kuptohet se “Red Devils” arritën marrëveshjen me drejtuesit e klubit nga Amsterdami për shumën e 40 milionë stërlinave.

Nga sa bëjnë të ditur mediat pranë klubit më të titulluar në Angli, Donny van de Beek bëhet gati për të firmosur një kontratë 5-vjecare me Manchester United.

Ish-lojtari i Ajaksit do t’u nënshtrohet kontrolleve mjekësore si dhe testeve të tjera rutinë, ndërsa kontrata ndërmjet palëve pritet të firmoset brenda këtyre ditëve. Drejtuesit e “Djajve të Kuq” përshpejtuan bisedimet, në mënyrë që Donny Van de Beek të përshtatet sa më shpejt me futbollistët e United, për të qenë kështu i gatshëm dhe në dispozicion të trajnerit Ole Gunnar Solskjaer për takimin e tyre hapës të edicionit të ri të Premiershipit, që do të luhet më datë 19 shtator, në “Old Trafford”, ndaj ekipit londinez Crystal Palace.

47-vjeçari norvegjez është një admirues i flaktë i 23-vjeçarit nga Provinca e Gelderlandit, që ka debutuar me përfaqësuesen portokalli që në vitin 2017 dhe numëron 10 ndeshje gjithsej me “tulipanët”, për më tepër në shumë raste ndeshjet e tij janë ndjekur me vëmendje nga trajneri nordik. Të gjithë prisnin Sanchon të vinte nga Borusia e Dortmundit, por në këtë mënyrë do të jetë pikërisht Donny van de Beek përforcimi i parë për “Djajtë e Kuq” në merkaton e kësaj vere.

Me Ajaksin, në Holandë, Donny van de Beek ka fituar gjithçka mund të fitohej, madje mesfushori ishte pjesë e finales që “harkëtarët” humbën në Suedi tre vjet më parë, në Europa League, pikërisht me Manchester United, që asokohe drejtohej nga trajneri Jose Mourinho.

Top Channel