Galeria e portreteve të Arbërve dhe Shqiptarëve në shekujt XV – XIX në librin “Në emër të Noes” të Fatos Baxhakut është e madhe sa Deti Mesdhe dhe fama e tyre në kronikat e kohës. Në këtë libër vijnë disa personazh me historitë e tyre…
“Një Kaptinë më lart bëmë fjalë për bëmat, ato të vërtetat e Mami Arnautit. Mirëpo nga të gjitha prej tyre vetëm robëria e Miguel de Cervantes do të mbetet gjatë në kujtesën kolektive të Krishtërimit. Cervantes në 1605 do të botojë Don Kishotin e Mancës, një ndër librat më të lexuar në botë, edhe sot e kësaj dite. Mami Arnaut ia la në dorëzim skllevërit e tij të shtrenjtë spanjollë mikut të tij, grekut Dali Mami. Që nga kjo ditë e tutje arbëri nuk ka më asnjë lidhje me këtë histori. Cervantes u lirua nga murgjit e Urdhrit të Trinisë së Shenjtë përkundrejt një shpërblimi të majmë në tetor të 1580. Cerek shekulli më vonë doli në dritë legjendari “Don Kishoti i Mancës”.
“Murat Arnauti mbahet mend në historinë detare të atyre anëve për një arritje vërtet të guximshme në lundrim. Ai ishte ndër të paktët kusarë të Algjerit që lundroi në Oqeanin Atlantik me galera të gatitura vetëm për ujërat mesdhetare. Në ishullin e Lanzarot-it ai sulmon me egërsi portet Teguise dhe Arrecife. Ngjarja alarmoi Spanjën. Nën komandën e fisnikut Martin de Padilla një flotë e madhe bllokoi Gjibraltarin. Murati u strehua gjatë te miqtë e tij marokenë, deri sa një natë me stuhi, kur askush nuk e priste, u përvodh, arriti të çajë bllokadën pa u dëmtuar aspak dhe lundroi lirshëm drejt Algjerit”.
“Alush Ali Pasha-Këlliçi, armik, mik e bashkëpunëtor i shumë arbërve dhe protagonist i historisë së tyre, mbylli sytë afër 80 vjeç në 1587 në Stamboll. Jeta e tij e pazakontë u mbyll me një ëndërr të parealizuar: donte të hapte i pari kanalin e Suezit, madje thonë se punimet u bënë gati për t’u nisur. Disa kronikanë janë të bindur se, nëse sulltani do t’i financonte punimet me të ardhurat nga Egjipti, kusari i vjetër kalabrez do ia kishte dalë mbanë të arrinte atë që Ferdinand de Lesseps kreu vetëm afër 280 vjet më pas”.
Të Dhëna
Fletët 258
ISBN 9789928325068
V. Bot 2020
Vendodhja Tirane
Gjuha Shqip
Tipi i publikimit Libër
Grupmosha mbi 14 vjeç
Statusi I ri
Numri i botimeve I parë
Top Channel