Predikues i moralitetit nga njëra anë, admirues zjarrtë i grave nga ana tjetër… Si mund të bashkoheshin të dyja te shkrimtari rus më pjellori në të gjitha kuptimet e fjalës?
Tolstoi është një personazh unikal dhe kontradiktor. Në biografinë e tij, dhjetëra intriga dhe histori dashurie fqinjërojnë me predikime mbi moralitetin, dëlirësinë dhe vlerat e familjes. Mos vallë është përpjekur që me moralizimet në veprat e tij të shlyejë mëkatet?
Turp dhe kurvërim
Të parën ndjenjë romantike dhe mishtore për një femër ai e provoi kur ishte afro trembëdhjetë vjeç. Ja çfarë ka shkruar në ditar: ”Një ndjenjë të fortë, të ngjashme me dashurinë, kam provuar vetëm kur kam qenë trembëdhjetë apo katërmbëdhjetë vjeç; por [nuk] dua ta besoj se kjo ishte dashuri; sepse objekti i saj ishte një shërbyese e ngjallur (e vërteta, me një fytyrëz shumë të bukur), përveç kësaj, nga trembëdhjetë deri pesëmbëdhjetë vjeç është koha më e trazuar për një djalë (adoleshenca); nuk e di, se ku të kridhesh dhe epshi në këtë periudhë godet me një force të jashtëzakonshme”.
Në të tetëmbëdhjetat, shkrimtari i ardhshëm nisi të mbajë ditar në spital, ku vajti për një sëmundje veneriane. Ishte një tronditje e vërtetë për të dhe iu desh të kontrollonte ndjenjat e tij. Megjithatë edhe sëmundja nuk e ndaloi djaloshin në kërkim të dëfrimeve – ai shpesh shkruan për epshin dhe përsiatet mbi këtë temë. Në vitin 1854, kur mori pjesë në luftën e Krimesë, korpusi i 26-vjeçarit, Tolstoi, kaloi ca kohë në Bukuresht. Me një hidhërim të dukshëm shënon përsëri në ditar, se si ai u prish: “Kam pasur disa femra, gënjeja, hiqesha sqimatar, dhe ç’ishte më e tmerrshmja, në luftime nuk isha ai sikundër kisha shpresuar se do të isha”.
Lev Tolstoi në 1856
Dy vjet më vonë ai shkoi në çifligun e tij në Jasnaja Poljana, dhe duke vuajtur nga limontia, shkruan se lëngonte prej dëshirave epshore të përditshme dhe e ndiente veten tmerrësisht të ndyrë për këtë shkak. “E vendosa, kudo të ishte dhe sido të ishte këto dy muaj të gjeja një dashnore”. “Epsh i tmerrshëm, që arrin deri në sëmundje fizike”, “Sorollatem nëpër kopsht. Një fshatarkë shumë e bukur, një bukuri tepër e ëmbël. Jam padurueshëm i poshtër me këtë dëshirë të fshehtë të pafuqishme drejt vesit. Vesi do të kishte qenë më i mirë se unë”. Nga ditari i shkrimtarit mund të duket se Tolstoi ka qenë një feminist (gruar) i paparë dhe shumë studiues kanë arritur në këtë përfundim duke përhapur fjalë për një numër të madh fëmijësh, gjoja të ngjizur nga Tolstoi me fshatarkat (në fakt dihet vetëm për një fëmijë). Por një shthurje e tillë dhe vajtjet në shtëpinë publike për një djalosh-oborrtar të asaj kohe ishin diçka e zakonshme. Dhe ja sa tërbimshëm e qorton veten, sa shumë vëmendje i kushton, sa e përjeton – një rakurs krejtësisht i pazakonshëm.
Sophia Bers në 1862
Tolstoi vazhdimisht e rishqyrton marredhënien e tij me dashurinë mishtore dhe i vë vetes synimin se çfarë njeriu duhet të bëhet. Kështu në vitin 1855 ai shkruan: “Njeriu në përgjithësi synon jetën shpirtërore dhe për të arritur qëllimet shpirtërore duhet ajo gjendje, në të cilën kënaqja e dëshirave mishtore nuk i kundërvihet ose përputhet me kënaqjen e dëshirave shpirtërore… kështu, ja rregulli im i ri përveç atyre të cilët ia kam vënë vetes prej kohësh- të jem veprues, i arsyeshëm dhe modest”. Që ta mbyste vesin, Tolstoi vendos që të merret me diçka vazhdimisht. Nga viti 1856 ai kërkon aktivisht për grua dhe dëshiron t’i japë fund asaj mënyre jetese orgjish. Por me asnjë nga pretendentet-oborrtare nuk krijoi dot marrëdhënie. Vetëm pas gjashtë vjetësh, kur ai kishte mbushur tridhjetë e katër vjeç, ai do të takojë tetëmbëdhjetëvjeçaren Sofia Bers, e cila atij “iu përshtat”.
Përpara dasmës ai përpiqet “të pastrojë ndërgjegjen” dhe i tregon të fejuarës së tij të re ditarët e tij- dëshiron që midis tyre të mos kishte sekrete dhe i betohet se nuk do ta tradhëtojë. Aventurat, e përshkruara atje, e bënë Sofinë të përlotet jo pak. Megjithatë ajo pranon të bëhet dasma dhe pas kurorëzimit Tolstoi e shpuri menjëherë në Jasnaja Poljana.
Por a ka lumturi në martesë?
Tolstoi jo vetëm i moralshëm, por sipas mënyrës së vet ai është i devotshëm. Besohet që ai ka qenë një tiran i vërtetë në shtëpi, duke e detyruar gruan të lindë njeri pas tjetrit trembëdhjetë fëmijë. Shkaku ishte i thjeshtë, ai “i trembej se mos e zemëronte Zotin”. Është i njohur dhe një rast kur Sofia kishte një tumor malinj. Thërritën mjekun dhe ai i kërkoi leje burrit të saj për ta operuar. Por Tolstoit iu desh një kohë e gjatë për të marrë vendimin, duke besuar se “nuk mund t’i kundërvihesh vullnetit të zotit”, madje, edhe nëse gruaja mund të vdiste. Megjithatë, gruaja e donte. Përkushtimi i saj ishte pakufi, drejtonte punët e tij (dhe punët e të gjithë Jasnaja Poljanas), duke u marrë me fëmijët, jetën e përditshme, disa herë kopjoi me dorë romanin “Lufta dhe Paqja”. Tolstoi besonte se fati i femrës është pikërisht në familje – siç ishte për shembull Natasha Rostova te “Lufta dhe Paqja”, e cila e gjente lumturinë tek fëmijët dhe Kiti Sherbatskaja tek “Anna Karenina”, që e shndërroi në amësi. Por ama të gjithë e kujtojnë se çfarë bëri Tolstoi me vetë Anna Kareninën, e cila kapërceu përmes familjes dhe u zhyt në pasion, duke harruar të birin.
Refuzimi i seksit
Në vitet 1880, Tolstoi përjetoi një përmbysje shpirtërore dhe ndryshoi krejtësisht pikëpamjen mbi botën. Për shembull, ai dëshironte që të hiqte dorë krejtësisht nga prona private dhe të drejtat e autorit për veprat e tij. Po ashtu ndryshoi qasjen ndaj martesës. Në qoftë se familja në krijimtarinë e tij, ishte dikur vlera më e lartë, tashmë është absolutisht i deziluzionuar në martesë- mendimet e tij i mishëron në “Sonata e Krojcerit”. Në novela ai flet për natyrën e poshtër të pasionit, sesi njeriu nuk mund të bëjë zap epshin apo për forcën shkatërrimtare të xhelozisë. Heroi kryesor, i cili në rininë e tij ka qenë lapërdhar (imoral), si vetë autori, thotë se femrat janë krijuar vetëm për të eksituar meshkujt. Prej xhelozisë ai vret gruan e tij të pafajshme.
Në këtë kohë, Tolstoi, jo vetëm është shkrimtari më i famshëm, por një lider i vërtetë shpirtëror. Çdo vepër të tij të re publiku e lexon me etje dhe kjo vepër ushtron një ndikim të madh. Prandaj “Sonata e Krojcerit” pas botimit u ndalua nga censura cariste. Studiuesi i Tolstoit, Pavel Basinskij shkruan, ‘pasi lexojnë “Sonatën e Krojcerit”, të rinjtë hoqën dorë nga martesat dhe vazhdimësia e racës (brezit), duke u nisur nga ajo se në themel të familjes qëndron instinkti i ndyrë seksual’.
Kënaqësinë seksuale shkrimtari e koncepton tani jo si një gëzim të rinisë, por si një varësi serioze. “Kurvar nuk është një sharje, (mendoj po ashtu dhe kurvë) por një gjendje shqetësimi, kurioziteti dhe nevoje për risi, që rrjedhin nga lidhja për hir të kënaqësisë, jo me njërën por me shumë syresh. Si një pijanec ai mund të përmbahet, por pijaneci është pijanec dhe kurvari është kurvar, sapo ta humbë paksa vëmendjen ai do të bjerë”, shkruan ai në ditar. “Unë jam kurvar”,- vijon ai më tej. Ndërkohë që po punonte mbi “Sonatën e Krojcerit”, Tolstoi merr broshura nga “The Shakers”, një organizatë fetare amerikane që predikonte beqarinë. Ai i shkruan mikut dhe botuesit të tij Vladimir Çertkov, se ata veçse ia kanë përforcuar pikëpamjen e tij për martesën. Tashmë ai predikon jo vetëm moralitetin dhe luftën me kurvërinë, por përgjithësisht dëlirësinë dhe beqarinë. Në fund të jetës, Tolstoi vendos të çlirohet nga martesa – ikën prej gruas dhe në përgjithësi nga shtëpia. Dhjetë ditë më vonë do të vdesë në një stacion hekurudhor të një rajoni fqinj.
Shkruar nga Alexandra Guzeva (Russia Beyond).
Top Channel