Me 62 vota për, 51 kundër dhe asnjë abstenim pas një debati dyditor, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi qeverinë e re.

Për kryeministër të vendit u zgjodh Zoran Zaev, lideri i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe koalicionit “Mundemi”, i cili në zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik fitoi numrin më të madh të vendeve në parlament (46).

Para se deputetët të votonin për qeverinë, Zaev iu drejtua kuvendit, duke premtuar standard dhe perspektivë më të mirë. Ai tha se qeveria e re do të punojë që të gjithë qytetarët të kenë një sistem ligjor në të cilin do të besojnë qytetarët. Zaev theksoi se ata si qeveri do të shërbejnë me ndershmëri dhe me përgjegjësi dhe do të jenë një shërbim të qytetarëve.

Ndërkohë pa humbur kohë, Bujar Osmani ministri i Jashtëm, njëkohësisht edhe ministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut tregoi se punën e nisi me një telefonatë me Ndihmës Sekretarin Shtetëror për Çështje Evropiane dhe Euro-Aziatike të SHBA-ve, Filip Riker.

“Thellimi i partneritetit strategjik mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-ve – një prej prioriteteve kyçe të politikës së jashtme. Në ditën e parë të punës si Ministër i Punëve të Jashtme, realizova bisedë telefonike zyrtare me Ndihmës Sekretarin Shtetëror për Çështje Evropiane dhe Euro-Aziatike të SHBA-ve, Filip Riker, me ç’rast e riafirmova përcaktimin tonë përmes të cilit SHBA-të mund të mbështeten në vendin tonë si në vend mik dhe aleat i sinqert në rajon”, shkruan ai në facebook.

Në qeverinë e re, LSDM ka 11 anëtarë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) 6, ndërsa partitë Besa dhe Partia Liberal-Demokratike, partnerët e koalicionit parazgjedhor të LSDM-së, kanë secila nga një post ministror.

Deputeti i BDI-së, Artan Grubi, është zgjedhur zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Sistemit Politik, Nikolla Dimitrov nga radhët e LSDM-së, ish-ministri i Jashtëm, është zgjedhur zëvendëskryeministër për Çështjet Evropiane, ndërsa Ljupço Nikollovski nga LSDM-ja, ish-ministër i Bujqësisë, është zgjedhur zëvendëskryeministër për Luftën Kundër Korrupsionit. Fatmir Bytyqi nga LSDM-ja është zgjedhur zëvendëskryeministër përgjegjës për Ekonomi.

Radmilla Shekerinska, ministrja e deritanishme e Mbrojtjes, përsëri do ta ketë të njëjtin post, Oliver Spasovski, ish-kryeministri teknik i cili shërbeu si ministër i Brendshëm para fillimit të qeverisë teknike, është zgjedhur përsëri në krye të kësaj ministrie. Venko Filipçe u zgjodh ministër i Shëndetësisë, ndërsa Bojan Mariçiq ministër i Drejtësisë.

Milla Carovska, ish-zëvendëskryeministre për Çështje Ekonomike dhe e cila gjithashtu ka mbajtur postin e ministres së Punës dhe Politikës Sociale në qeverinë e mëparshme, është zgjedhur ministre e Arsimit dhe Shkencës. Ndërkaq, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve do të drejtohet nga Bllagoj Boçvarski. Në krye të Ministrisë së Kulturës është zgjedhur Irena Stefoska, gjithashtu nga LSDM-ja.

Ndërkaq, Jahoda Shahpaska është zgjedhur ministre e Punës dhe Politikës Sociale. Nga radhët e BDI-së, Bujar Osmani, zëvendëskryeministri i qeverisë së mëparshme përgjegjës për Çështjet Evropiane, që do të kryesojë Ministrinë e Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi është zgjedhur ministër i Financave, Kreshnik Bekteshi është rizgjedhur si ministër i Ekonomisë, kurse Jeton Shaqiri është zgjedhur në krye të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor do të vazhdojë të kryesohet nga Naser Nuredini nga BDI-ja, i cili në këtë pozitë ishte edhe në qeverinë e mëparshme. Arjanit Hoxha nga radhët e Besës është zgjedhur ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave. Goran Milevski nga Partia Liberal-Demokratike është zgjedhur ministër i Vetëqeverisjes Lokale, pozitë të cilën ai e mbajti edhe në qeverinë e mëparshme.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA