Një sërë gazetarësh të huaj nuk do të lejohen më të raportojnë në Bjellorusi pasi akreditimi i tyre u tërhoq në mënyrë të papritur, e disa mund të dëbohen nga vendi.
Masa e ashpër vjen përpara protestave të reja masive që priten kundër presidentit Aleksandër Lukashenko. Akreditimi i është hequr gazetarëve që punojnë për agjencitë e lajmeve Agence France Presse dhe Associated Press, transmetuesin britanik BBC, atë publik gjerman ARD dhe Radion Europa e Lirë.
ARD madje njoftoi se një ekip kameramanësh të tij janë arrestuar gjatë natës, edhe pse kishin akreditimin e duhur. Ata u lanë të lirë por akreditimi iu hoq, ndërsa dy anëtarëve rusë iu kërkua që të largohen menjëherë nga vendi. Producenti i tyre bjellorus është kërcënuar me veprime ligjore. Nuk është ende e qartë për momentin se sa gazetarë preken saktësisht nga kjo masë, ndonëse shoqata e reporterëve bjellorusë flet për një valë masive tërheqjesh të akreditimit për gazetarët që punojnë për TV, radio, gazeta dhe agjenci lajmesh.
Ditët e fundit, mbi një duzinë reporterësh që mbulonin protestat në Minsk janë ndaluar nga policia për kontroll dokumentesh, e në disa raste, efektivët u kanë fshirë atyre video dhe foto. Lëvizja kundër gazetarëve vjen përpara protestës në shkallë të gjerë që pritet të mbahet në kryeqytet dhe goditja e medias shihet si përpjekje për të parandaluar raportimin mbi tubimin mbarëkombëtar, pjesë e protestave masive që përfshinë vendin pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale. Presidenti Aleksandër Lukashenko, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 1994, pretendon një fitore dërrmuese me 80% të votave, por liderja e opozitës Svetlana Tikhanovskaya, e cila është larguar drejt Lituanisë fqinjë, thotë se në të vërtetë, ajo e mundi Lukashenkon në zgjedhje
Top Channel