Studimi/ Votimi me postë nuk sjell epërsi për asnjërën parti

29/08/2020 03:00

Nga një studim i ri i publikuar këtë javë del se votimi me postë nuk do të sillte kaos në procesin e zgjedhjeve, madje në fakt mund të shtonte pjesëmarrjen. Votimi me postë është bërë objekt polemikash muajt e fundit. Pandemia e koronavirusit ka ngritur shqetësime të sigurisë për shkuarjen në votime ndërkohë që Presidenti i SHBA Donald Trump ngul këmbë se votimi me postë do të sillte manipulime dhe do të ishte i padrejtë për Partinë e tij Republikane.

Dy studiues të politikës, njëri i Universitetit të Virxhinias dhe tjetri i Universitetit Brigham Young, analizuan votimin me postë dhe i publikuan këto ditë gjetjet e tyre në revistën Science Advances. Studiuesit krahasuan të dhënat në nivel qarqesh nga viti 1992 deri në 2018 të regjistruara në të gjithë SHBA me më shumë se 40 milion të dhëna votimi në shtetet Juta dhe Uashington. Ata donin të kuptonin se si mund të ndryshonin rezultatet në favor të kësaj ose asaj partie, nëse votimi bëhej i detyrueshëm me postë.

Të dhënat e tyre treguan, në përgjithësi, se votimi me postë ka një “efekt të vogël pozitiv sa i përket pjesëmarrjes”, por “asnjë efekt të matshëm” në atë se sa epërsi sjell për një parti ndaj një tjetre në kutinë e votimit. Studiuesit thonë se prej vitesh, votimi me postë shihet si diçka që praktikohet nga votuesit më të vjetër në moshë dhe ata të zonave rurale, të cilët anojnë nga republikanët. Gjashtë shtete praktikuan votimin me postë para shfaqjes së koronavirusit. Teksasi praktikon atë që e quan “votim me postë – s’ka justifikime” për njerëzit 65 vjeç e lartë. Në Nebraska, qarqet me më pak se 10,000 banorë lejohen të votojnë me postë.

Studiuesit thonë se “megjithëse këto sisteme të votimit me postë kanë ndryshime sa i përket administrimit, ato janë njëlloj” në parimet e tyre thelbësore: Të gjithë zgjedhësit i marrin fletëvotimet qysh më parë dhe që të gjitha kufizojnë (dhe në disa raste zëvendësojnë) votimin fizikisht. Autorët e studimit shkruajnë: “Votimi me postë mund të ofrojë mundësinë për të ruajtur, në rastin më të keq, nivelet e zakonshme të pjesëmarrjes dhe në rastin më të mirë, ta rrisë paksa nivelin e ulët të pjesëmarrjes, duke mos favorizuar në thelb njërën parti politike mbi tjetrën”./VOA

Top Channel