Rama nuk e ka lënë vetëm me një deklaratë qëndrimin e tij në lidhje me detin dhe marrëveshjen me Greqinë. Ai ka bërë një koment të gjatë në formën e një replike me të gjithë ata që e kanë akuzuar për shitje, por edhe për opozitën dhe PD.
Shkrimin e tij në facebook kryeministri Rama e nis me një koment për ata shajnë e mallkojnë, lidhur me “shitjen” e detit
“Dhe meazallah se hanë pykë, kur u thua nuk ekziston as shitja, as falja, as vetë marrëveshja për detin! Disa prej tyre janë të verbër e të shurdhët me sytë e veshët top, por mendja e mbledhur top me litarët e opozitës sonë në krizë për mend, i bën të pa kurueshëm.”
Rama thotë se për kufijtë mes dy shteteve s’mund të ekzistojë asnjë marrëveshje e fshehtë sepse s’kanë asnjë vlerë mbi detin e mbi tokën për sa kohë janë të fshehta. Bëhen marrëveshje të negociuara me vite, të cilat bëhen publike dhe vlerën e marrin vetëm kur kalojnë provën e institucioneve kushtetuese të shtetit.
“A keni parë ndonjë dokument të firmosur e të vulosur për këtë detin që paskam dhënë, shitur a falur unë? Jo nuk keni parë, sepse nuk ka dhe s’ka se si të ketë një të tillë. Se po të kishte do të dilte, po s’mund të dalë gjëkundi asnjë marrëveshje e tillë me firma e me vula, që unë nuk e di apo që unë mund ta mbështes, nëse cënon interesin kombëtar të Shqipërisë! Kush e luan me ju këtë lojë do t’ju bëjë për budallenj, tallet paturpësisht me ndjenjat tuaja për të përfituar politikisht prej çoroditjes që synon t’ju shkaktojë, duke ju prekur ndjenjat.”
Rama kujton se si kur ishte ne krye te opozitës vuri në lëvizje gjykatën kushtetuese e cila e rrezoi marrëveshjen me Greqine të firmosur nga Lulëzim Basha, me bekimin e me mbrojtjen publike të Sali Berishës e të Ilir Metës. sepse ajo marrëveshje thotë Rama cënonte interesin kombëtar.
“ Sot po këta që e bënë atë marrëveshje antikombëtare dhe e futën edhe detin në çorbën e Shqipërisë që qeverisën, prej padijes së tyre të dhimbshme a prej shpërfilljes sportive të interesit kombëtar ose të dyjave bashkë, kanë kapur kallamat me dorë e kanë dalë për gjahun politik të radhës. Për të mbrojtur detin nga unë! O Zot!”
Rama thotë se kush do vërtetë të dëgjojë dhe të kuptojë si qëndron e vërteta e kësaj historie, le ta ndjekë me vëmendje sepse fatmirësisht, është shumë e thjeshtë. Ai thotë se fjala e kryeministrit grek në parlament, nuk ka asnjë lidhje me ujërat territorialë të Shqipërisë, me ndonjë marrëveshje mes Greqisë dhe Shqipërisë apo me ndonjë punë të Shqipërisë që lidhet me të drejtën e vendit fqinj për ato 12 miljet e stëpërfolura.
“Unë dhe kryeministri i Greqisë, Kiriakos Micotaqis, nuk kemi folur ende për këtë çështje, as kur jemi ulur në takimin e parë në New York, as kur jemi ulur në takimin e dytë në Athinë dhe as në ndonjë rrethanë tjetër, kur jemi takuar në këmbë apo kemi komunikuar në telefon – njëherë pas tërmetit të 26 nëntorit, kur ai është treguar një mik shumë i çmuar i Shqipërisë dhe ka kontribuar megjithë zemër për operacionet e shpëtimit të jetëve nën rrënoja. Dhe herën tjetër kur kemi këmbyer opinionet për masat kundër Covidit.”
Rama thotë se qeveria jonë dhe ajo greke nuk kanë biseduar asnjëherë që në kohën kur në krye erdhi Micotaqis. Negociatat për kufirin ne det qe janë zhvilluar me qeverinë e mëparshme kane ngelur pa u mbyllur.
“Ne duam ta arrijmë një marrëveshje me Greqinë për këtë çështje, siç kemi arritur edhe të tjera e siç duhet të arrijmë të tjera akoma. Ne Greqinë e konsiderojmë një nga tre partnerët strategjikë më të afërt të Shqipërisë, së bashku me Italinë dhe Turqinë. Ne nuk kemi pretendime territoriale ndaj Greqisë dhe Greqia nuk ka të tilla ndaj nesh, por ne kemi pretendime reciproke për bashkëkombasit që jetojnë në shtetin tjetër, të cilëve së bashku, të dyja qeveritë, me dialog konstruktiv e mirëkuptim njerëzor në radhë të parë, duhet t’u bëjmë papushim hyzmet të posaçëm për të drejtat e tyre.”
Top Channel