Gonzalo Higuain ishte futbollisti i parë që Andrea Pirlo “dogji” pasi u ul në pankinën e Juventusit, pasi në konferencën e parë për shtyp u shpreh qartë se sulmuesi argjentinas nuk bën pjesë në planet e tij dhe se duhet të ndajë rrugët me bardhezinjtë.
Megjithatë largimi i sulmuesit 33-vjeçar duket një mision shumë i vështirë për drejtorin sportiv të bardhezinjve Fabio Paratici, pasi Higuain jo vetëm që ka refuzuar të gjithë ofertat në drejtim të tij, por ka refuzuar edhe prishjen e kontratës me Juven.
Kjo pasi aktualisht Higuain përfiton një pagë prej rreth 9 milionë eurosh në sezon dhe ka edhe një vit kontratë të mbetur me Juven, por për ta prishur menjëherë bashkëpunimin me bardhezinjtë ka kërkuar një penalitet prej të paktën 5 milionë eurosh.
E pamundur për t’u pranuar kjo kërkesë nga ana e Juves, duke qenë se aktualisht Higuain kushton në bilanc rreth 18 milionë euro, të cilat do të regjistrohen si humbje, ndaj pagesa e një tjetër shifre si shpërblim për prishjen e kontratës, do ta rëndonte më shumë faturën.
Top Channel