Refuzohet vrasësi i John Lennon-it/ Për të 11-ën herë nuk i jepet liria me kusht

28/08/2020 12:49

Më 9 tetor mbushen 80 vite nga lindja e John Lennon-it, ndërsa më 8 dhjetor, 40 nga vdekja e tij.

Në 1980-ën, Mark David Chapman e qëlloi me pesë plumba ish-këngëtarin e Beatles, jashtë shtëpisë së tij. Vrasësi tani ka kërkuar për të 11 herë lirimin e tij me kusht, por kërkesa e tij është refuzuar sërish. E për përsëritjen e kërkesës do të duhet të presë tani edhe dy vite të tjera.

65-vjeçari u mor në pyetje nga komisioni për lirinë me kusht më 19 gusht dhe tani duhet të kalojë edhe dy vite të tjera në burg para se të mund të bëjë një tentativë tjetër. Chapman po e kryen dënimin e tij në qendrën e korrektimit Wende, në Alden të Nju Jorkut. Pasi kreu 20 vitet e para të dënimit, që nga viti 2000 ka patur të drejtën të kërkojë lirinë me kusht.

Por komisioni i posaçëm ka gjykuar se ai nuk duhet të dalë në liri me kusht dhe nuk i ka bërë të ditura arsyet. Në 2018, Chapman kishte deklaruar se çdo vit ndjente gjithnjë e më shumë turp për krimin e tij. Yoko Ono, e veja e Lennon-it, kishte kundërshtuar lirinë e mundshme me kusht të tij, sepse sipas saj, mund të rrezikonte atë dhe fëmijët e Lennon-it, Julia-n dhe Sea-n, përveç shqetësimit për zemërimin e fansave të Beatles-it.

 

 

 

Top Channel