Zgjedhjet, Gjukanoviç: Vendimtare për ruajtjen e pavarësisë, s’do lejojmë që ideologjia e errët e mesjetës…

27/08/2020 12:06

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç tha se zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit do të jenë vendimtare për ruajtjen e pavarësisë së Malit të Zi, përballë përpjekjeve nga Serbia dhe Rusia për të sjellë në pushtet aleatët nacionalistë dhe antiperëndimorë, njoftoi partia e tij të mërkurën.

Gjukanoviç tha se po zhvillohet një “luftë mediatike dhe politike” kundër tij dhe Partisë së tij Demokratike të Socialistëve (DPS), për ta vënë Malin e Zi “nën ombrellën e Beogradit dhe të Moskës” dhe për ta penguar atë nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Gjukanoviq tha se DPS nuk do të lejojë që “ideologjia e errët e mesjetës” të mbizotërojë në zgjedhje.

Me këtë, ai iu referua Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, e cila ka udhëhequr një seri protestash kundër qeverisë së tij. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç i ka mohuar akuzat se Serbia, aleate e afërt e Rusisë, është duke ndërhyrë në zgjedhjet në Mal të Zi përmes mediave dhe kishës. Një ligj për pronat fetare në Mal të Zi ka shkaktuar protesta të serbëve prej disa muajsh. Serbët përbëjnë rreth 30 përqind të popullsisë prej 620,000 banorësh të Malit të Zi.

Sipas kundërshtarëve, ligji do të çojë në konfiskimin e pronës së Kishës Ortodokse Serbe nga shteti malazez, gjë që mohohet nga qeveria malazeze. Në zgjedhje, partia në pushtet e Malit të Zi, DPS do të sfidohet nga një grup pro-serb dhe një aleancë tjetër opozitare që e akuzon Gjukanoviçin dhe qeverinë e tij për korrupsion të përhapur. Sondazhet e opinionet tregojnë se DPS do të fitojë shumicën e votave, por jo të mjaftueshme për të qeverisur e vetme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA