Ndryshime në Policinë e Shtetit/ Largohet Aida Hajnaj pasi u zgjodh në krye të BKH-së, ja kush e zëvendëson

27/08/2020 11:39

Pas ikjes së zëvendësdrejtoreshës së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, për të filluar në detyrën e re si Drejtore e BKH-së, ndryshime dhe emërime të reja kanë ndodhur në Policinë e Shtetit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, gjatë një ceremonie për të vlerësuar punën e zëvendësdrejtoreshës së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, e cila sot largohet nga detyra për të filluar në detyrën e re si Drejtore e BKH-së, i ka dorëzuar kësaj të fundit certifikatën për shërbime të dalluara me motivacionin “Për merita të veçanta, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar në përmbushjen cilësore të detyrave dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës për zhvillimin e vazhdueshëm të standardeve policore, në shërbim të Policisë së Shtetit”.

Veliu vlerësoi punën, integritetin dhe kontributin e Hajnajt, për më shumë se dy dekada në Polici dhe i uroi asaj suksese në detyrën e re shumë të rëndësishme.

Aida Hajnaj, e falenderoi Veliun për vlerësimin dhe mbështetjen gjatë kryerjes së detyrës në rolin e zëvendësdrejtoreshës dhe njëkohësisht ka vlerësuar e falënderuar gjithë kolegët që ajo ka punuar gjatë këtyre viteve në Polici.

Në vijim, Veliu ka bërë prezent edhe disa ndryshime me qëllim dhënien e një impulsi të ri, por edhe për shkak të largimit të zëvendësdrejtoreshës Hajnaj.

Me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe me miratim të ministrit të Brendshëm ka marrë gradën Drejtues i Lartë dhe është emëruar në detyrën e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Albert Dervishi, deri sot në detyrën e Drejtorit të Rendit.

Drejtori i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit, Drejtues i Lartë Idajet Faskaj, është liruar nga kjo detyrë dhe është emëruar në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe ka marrë gradën Drejtues i Parë.

Drejtori i Kabinetit të Drejtorit të Përgjithshëm, Drejtues i Parë Pëllumb Seferi, është emëruar Drejtor i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe ka marrë gradën Drejtues i Lartë.

FOTO GALERI
2/9

Top Channel