Me duartrokitje të gjata konservatorët grekë kanë pritur deklaratën e kryeministrit Mitsotakis në sallën e parlamentit se qeveria që ai drejton do të paraqesë së shpejti një projekt-ligj për zgjerimin e ujërave të saj territoriale në detin Jon  nga 6 në 12 milje.

Greqia zgjeron territorin e ujërave të saj nga 6 në 12 milje. Greqia po bëhet më e madhe. E kanë thënë dhe të tjerët. Por ne jemi ata që po e bëjmë realitet. Realizojmë pra, në një zonë detare, konkretisht atë të detit Jon dhe të ishujve të tij deri ne kepin Tenaro të Peloponezit, ushtrimin e padiskutueshëm të së drejtës sonë sovrane , në përputhje me nenin 3 të Konventës për Ligjin e Detit.” tha Mitsotakis.

Deklarata e kryeministrit grek është kryer gjatë diskutimit në parlament për ratifikimin e dy marrëveshjeve të rëndësishme që ka nënshkruar Athina me Romën dhe Kajron për Zonat Ekskluzive Ekonomike mes Greqisë dhe Italisë si dhe mes Greqisë dhe Egjiptit.

Gjithashtu ajo bëhet në një çast kur tensioni me Ankaranë , ndodhet përsëri në piken kulmore si 5 javë më parë, kur për pak mund të kishte përfunduar në një konflikt ushtarak, ndërsa në jug të Qipros zhvillohet një stërvitje e madhe ushtarake me trupat e flotave detare të Francës, Greqisë, Qipros dhe Italisë.

Theksohet se  në bazë të Konventës së Detit , çdo shtet  ka të drejtë të zgjeroje ujërat e tij territoriale nga 6 në 12 milje detare, në mënyrë të njëanshme. Në dallim nga ZEE dhe rafti kontinental që përbëjnë një të drejtë sovrane, ujërat territoriale përbëjnë sovranitet.

Por deklarata e sotme me të cilën Athina kërkon të krijojë precedent edhe për detin Egje apo Mesdheun Lindor, vlerësohet se do të shtojë më shumë tensionin me fqinjin e saj, pasi dihet se Ankaraja ka paralajmëruar se një veprim i ngjashëm nga Greqia në lindje për zgjerimin e ujërave territoriale pranë ishujve nga 6 në 12 milje, do të ishte një “casus belli” – pra një shkak për luftë.

“Mënyra për të arritur një marrëveshje për çështjen e hapur dhe ne pritje që kemi me Turqinë, atë të delimitimit të zonave detare në Egje dhe Mesdheun lindor, është e hapur, dhe mund të hapet edhe për Ankaranë. Por me një kusht: të ndaloje menjëherë provokimet. Mjaftojnë gjashtë fjalë: “Ndalojnë provokimet, fillojnë diskutimet.”

Duke vazhduar tentativën e saj për të mbyllur gjithë marrëveshjet për zonat detare me fqinjët, Athina planifikon deri në mesin e shtatorit një vizitë të kryediplomatit grek Dendias në Tiranë, e vendosur kjo pas bisedës se tij të fundit telefonike me kryeministrin shqiptar .

Burime diplomatike bëjnë me dije se përveç marrëveshjes për kufijtë detare mes dy vendeve që do të arrihet duke pasur edhe si shembull atë mes Italisë e Greqisë, do të shtrohen në tryezën e bisedimeve edhe çështjet e tjera të pazgjidhura mes Athinës dhe Tiranës.

Top Channel