Flet dhuruesja e plazmës: Nuk është e vështirë, e lumtur që ndihmoj dikë

26/08/2020 20:24

Në qershor Nada Vojka mësoi se ishte e infektuar me koronavirus, teksa në 1 korrik pasi realizoi tamponin e fundit doli të rezultonte negative dhe të linte pas covid 19.

Megjithatë gjatë kësaj periudhe gjaku i saj krijoi antitrupa që ajo pas njoftimit nga Ministria e Shëndetësisë mësoi se mund t’i vërë në funksion të personave që aktualisht janë me koronavirus.

“Në momentin e parë që unë pata dijeni që mund të dhuroja gjak dhe dikë që është në nevoje dhe në vështirësi, sepse gjaku dhurohet pasi t’i ke kaluar sëmundjen dhe pasi ke dal negative në një hark kohor të caktuar, mendova pse jo mos bëja një vlerësim të tillë duke ndihmuar dikë tjetër. Unë lexova diçka, fola dhe me mjeken time të lagjes pasi ndoqëm disa procedura shumë të thjeshta me të pastaj lidhesh me QSUT dhe mund të bësh dhurimin. Mjafton të kesh dëshirën pastaj gjërat e tjera kanë hapa jo shumë të vështirë për t’i ndjekur dhe që mundësojnë dhurimin.”

Po pastaj, dhurove gjak dhe tani ke mësuar që është i vlefshëm për të ndihmuar dikë?

“Është i vlefshëm për të ndihmuar dikë. Unë e mora vesh këtë lajm jo më larg sesa dje dhe jam shumë e lumtur që ai vendim që unë mora do të përfundojë me sukses dhe do ndihmoj dikë tjetër që është në nevojë. Patjetër që ua sugjeroj ai që mundet të shpëtoje dikë që është në nevojë”

Nada Vojka i këshillon të gjithë të cilët kanë kaluar koronavirusin, të marrin këtë hap e të ndihmojnë të tjerët pasi këtë herë të dhurosh vërtet që të pasuron.

Top Channel