Shefi i Shërbimit Postar dëshmon në Kongres: Votimi me postë, përparësia ime kryesore

25/08/2020 02:31

Shefi i Sherbimit Postar, Louis DeJoy i siguroi ligjvënësit amerikanë të hënën se përpjekjet për të reformuar Sherbimin Postar të Shteteve të Bashkuara (USPS) nuk do të cënojnë rritjen e parashikuar të vëllimit të postës nga votimi me postë në zgjedhjet presidenciale të këtij viti si rezultat i pandemisë së koronavirusit.

“Kjo detyrë e shenjtë është përparësia ime numër një”, zoti DeJoy i tha Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikëqyrje dhe Reformë. “Nga tani deri në ditën e zgjedhjeve, për të qënë të qartë, ne do të bëjmë gjithçka të mundur për të shpërndarë postën zgjedhore në përputhje me proceset dhe procedurat e provuara mbi të cilat jemi mbështetur për vite të tëra.”

Prej disa vitesh Sherbimi Postar është përballur me humbje të të ardhurave dhe një rënie të vëllimit të postës, si rezultat i shtimit të komunikimit në internet. Zoti DeJoy, një grumbullues fondesh për republikanët dhe donator i fushatës së zotit Trump, reagoi kundër kiritikave lidhur me masat e tij të kohëve të fundit për të ulur kostot e operacioneve, përfshirë mbylljen e disa objekteve që përpunojnë postën si dhe heqjen e disa kutive postare nga zonat publike.

Ai u tha ligjvënësve se nuk kishte dhënë urdhër për ndryshmet por se ishte përgjegjës për një urdhër të lëshuar javën e shkuar për pezullimin e ndryshimeve deri pas ditës së zgjedhjeve për të shmangur përshtypjen e masave tendencioze. “Çdo pohim i mëtejshëm nga media ose zyrtarët e zgjedhur po e ushqen më tej një histori të rreme për popullin amerikan”, tha shefi i Sherbimit Postar. Por demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve thonë se anulimi i disa prej ndryshimeve, përfshirë anulimi i masave për heqjen e kutive të mbledhjes së postës, nuk e largon plotësisht kërcënimin ndaj votimit me postë, që është vendosur të fillojë gjatë javëve në vazhdim.

“Këto vonesa nuk janë mit apo teori konspiracioni sikurse kanë argumentuar disa nga kolegët e mi. Këto hapa ngadalësimi nuk filluan në prill apo maj kur na goditi koronavirusi, por në korrik kur zoti DeJoy erdhi në drejtim dhe filloi të bënte ndryshimet e tij”, tha të hënën Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen dhe Reformën, Carolyn Maloney. Sipas saj, komisionit i kishte rënë në dorë një dokument i brendshëm i kohëve të fundit nga Sherbimi Postar që tregonte rënie të konsiderueshme të dërgimit të postës në kohë, duke filluar pak pasi zoti DeJoy mori drejtimin e sherbimit postar amerikan. Vonesat kanë ngjallur protesta në mbarë vendin, si dhe kritika të gjera nga ligjvënësit demokratë, të cilët pretendojnë se veprimet e zotit DeJoy duken si ndërhyrje në zgjedhje.

“Çdokush e di që është e paligjshme ndërhyrja në postë me qëllim për t’u përpjekur për të manipuluar zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara, gjë që drejtuesi i Sherbimit Postar po bën nën urdhërat e Presidentit Trump, i cili i tha vendit në televizionin kombëtar dhe në Twitter se ai po ndërhyn në sherbimin postar sepse ai nuk pëlqen zgjedhjet”, tha Senatori demokrat Chris Van Hollen, gjatë një takimi në mbështetje të sherbimit postar javën e kaluar, duke iu referuar fjalëve të presidentit për votimin me postë.

Presidenti Trump ka kritikuar në mënyrë të vazhdueshme votimin përmes postës dhe sugjeroi bllokimin e fondeve për Sherbimin Postar për të parandaluar atë praktikë gjatë një interviste në rrjetin Fox Business në fillim të muajit. Sipa gazetës New York Times, deri në 80 milionë amerikanë mund të zgjedhin votimin me postë gjatë këtyre zgjedhjeve, pasi shumë votues do të ngurrojnë të qëndrojnë në radhët e gjata në vende publike gjatë pandemisë. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi mblodhi ligjvënësit në një seancë të rrallë urgjente të shtunën, duke u bërë thirrje ligjvënësve të miratojnë një paketë prej 25 milionë dollarë fonde për sherbimin e postës.

Një dispozitë kryesore në atë masë do të sigurojë që votimi me postë të trajtohet si postë e klasit të parë, një praktikë që sipas zonjës Pelosi, drejtuesi i postës, Louis DeJoy i ka thënë asaj që nuk do të ndiqej. Në një konferencë shtypi të shtunën, zonja Pelosi tha se fondet shtesë për Sherbimin Postar janë të domosdoshme “sepse në bisedat me drejtuesin e Sherbimit Postar, që ishin shumë të pakëndshme, ai tha se nuk kishte ndërmend të rivendoste kutitë e hequra të postës, nuk ka ndërmend të rikthejë makineritë e klasifikimit të postës në sherbimet postare dhe pajisje të tjera shumë thelbësore për dërgimin e postës brenda afatit”./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA