Pak pasi u konfirmua se takimi i Washington-it mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbi do të zhvillohet në 4 shtator, një zëdhënëse e BE-së pohoi se dy palët pritet të takohen të enjten në 27 gusht në Bruksel për të vazhduar negociatat në nivel ekspertësh.
“Pas rifillimit të bisedimeve në nivelin më të lartë në muajin korrik, tashmë vazhdon me seri takimesh në nivelin e ekspertëve, të cilat janë pjesë e vazhdueshme e procesit. Mund të konfirmojmë që takimet do të zhvillohen në 27 gusht”, tha Nabila Massrali për Zërin e Amerikës.
Bisedimet në nivel të grupeve të ekspertëve pritet të mbahen një javë para takimit në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të ndërmjetësuara nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien dhe i dërguari i posaçëm i presidentit Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell. Në Kosovë është mirëpritur angazhimin amerikan për mbajtjen e takimit në Shtëpinë e Bardhë.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë ishte planifikuar fillimisht për 27 qershor, por planet dështuan për shkak se Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Top Channel