Heroinë gati për shitje, si u arrestua çifti i të rinjve nga Forcat “Shqiponja” te rrethrrotullimi i Saukut

25/08/2020 09:21

Dy të rinj janë vënë në pranga nga policia për shitje të lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit të ushtruar në makinën e tyre janë gjetur 2 qese plastike me lëndë të dyshuar heroinë, e përgatitur dhe ndarë në doza gati për shitje,(15.2 gramë), një shumë parash që dyshohet se i kanë përfituar nga shitja e lëndës narkotike dhe tre aparate celular.

Tiranë

Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Sauku”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në DVP Tiranë.

Sekuestrohet lëndë narkotike heroinë, një shumë parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike, 1 automjet si dhe 3 telefona celular.

Vihen në pranga 2 shtetas.

Në vijim të punës për goditjet e njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve , bazuar në informacionet se dy shtetas merreshin me shitjen e lëndëve narkotike heroinë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në DVP Tiranë, zhvilloi operacionin antidrogë të koduar “Sauku”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

– D. R., 26 vjeç, banues në Elbasan dhe Xh. P., 22 vjeçe, banuese në Tiranë.

Pas mbajtjes në vëzhgim të mjetit me të cilin këta shtetas po qarkullonin dhe mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm se në këtë mjet kishte lëndë narkotike, shërbimet e Policisë në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Saukut, kanë ndaluar mjetin për kontroll.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “OPEL”, me drejtues shtetasin D. R. dhe pasagjere shtetasen Xh. P., në pjesën e kasetafonit të automjetit, shërbimet e Policisë kanë gjetur 2 qese plastike me lëndë të dyshuar heroinë, e përgatitur dhe ndarë në doza gati për shitje,(15.2 gramë), një shumë parash që dyshohet se i kanë përfituar nga shitja e lëndës narkotike dhe tre aparate celular.

Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”.

Top Channel