Nga Monika Stafa
E ç’mund të mendojë njeriu në fund të një dite të lodhshme, kur kujtohet se ka marrë një ftesë për në premierën e një telefilmi me titullin “Sex & City”, përveçse, më në fund, ja ku ka ardhur një çast për t’u zbavitur, dhe pas kësaj nuk i mbetet veçse ta lerë veten të lirë për të shpejtuar drejt dëfrimit që e pret? Kemi mbaruar punë, i thashë vetes, dhe është tamam koha për t’u marrë me lehtësitë e mbrëmjes.
Më tepër se për çdo gjë, kjo ftesë kishte marrë për mua vlerë për atë kujtim të shenjuar, të cilin duhej ta veçoja në kalendarin tim vetjak.
Rruga deri te taksia ishte shumë e shkurtër dhe nuk m’u desh të mendoja shumë pika reference për t’i thënë shoferit se ku duhej të ndalte. “Në ‘Millenium’, i thashë, atje ku sonte ka vetëm seks!”.
Shoferi ktheu kokën i hutuar. S’kish si ndodhte ndryshe. Buzëqesha shfajësueshëm. Ishte e qartë se nuk mund t’i shpëtoja një shpjegimi të mëtejshëm: “Në kinema sonte shfaqet një film-premierë. Ndoshta ke dëgjuar për telefilmin “Sex and the City”?
Burri më pa edhe një herë me seriozitet edhe më të vrazhdë dhe pastaj ma ktheu ftohtë: “S’të dëgjova çfarë the!”. Domethënë, është më mirë ta zëmë se nuk të dëgjova se çfarë the! Më mirë kështu, – i thashë, dhe qortova veten që shpesh mendimet e mia i them me zë, vetëm se duhet të nxitojmë. Ndryshe do t’i humbas ato minuta të para, që i dua aq shumë, shtoj me vete: zhurmën festive të njerëzve që shkëmbejnë të rejat e fundme nga bota e artit, e sidomos zërin ndikues e tingëllues anglisht të shqiptuesve të spoteve reklamues të filmave që vijnë më pas.
Shoferi natyrisht s’ia kish ngenë fjalëve të mia. Fundja, kush do të donte të dëgjonte se çfarë dëshire ke ti sonte. “Më ler ta mbaroj këtë punë, dukej sikur më thosh shprehja e fytyrës së tij – dhe vafsh në djall po deshe”. Sërish nënqesha me vete. Mesoburri që i jepte makinës në heshtje më dalloi nga pasqyra, por nuk foli dhe as e ktheu më kokën. Bashkëbisedimi ynë kish marrë fund aty.
Një nxitim i brendshëm për të mos humbur asgjë nga ajo çfarë ofronte ftesa më bënte të mos e kontrolloja durimin. Doja t’i shijoja të gjitha me rend: zbritjen rituale nga taksia, paraqitjen formale të biletës që duhej ta tregoja në derë, dhe kalimin s’di pse jo të sikletshëm mbi tapetin e kuq. Djallëzisht aty për aty më erdhi në mendje ideja e mbrapshtë që ta zhgarravisja me dheun e tokës dhe me guriçkat e zhavorrit, që gjendet lehtësisht këndejpari. Domosdo, si kudo, në çdo hap që hedh rrugës, në Tiranë ndërtohet e betonohet. Mbi tapet tashmë shiheshin shenjat e udhëve të shkelura: pllaka të shkulura vendit, ca rërë hedhur sipër tyre shkujdesshëm dhe në fund copëra ftesash të vulosura me shputore këpucësh të pamëshirshme. Ftesa të hedhura ashtu, deri tek hyrja, pa dalë ende jashtë rrethimit të kinemasë, madje dhe brenda kuadratit ku duhej të paraqitej filmi !? Ec e merre vesh këtë punë! Po intimiteti dhe solemniteti i ngjarjes ku janë?
E kam humbur ndërkaq të parën kënaqësi që kisha llogaritur dhe hedh me shpresë një sy tërthoraz galerisë. Fytyra të njohura e të panjohura. Në ajër shkëmbehen vazhdimisht përshëndetje, herë të ngrohta vërtet e herë “të shpëtuara me shkas”. Psherëtima vetëizoluese, për të mos kthyer kokën andej nga ku s’do të dëshiroje. Edhe thirrma miqësore takimesh të munguara prej një kohe të gjatë. Të zotë këta aktorë: mall, medemek!
Gotëza e shampanjës – më saktë e spumantes – që më shërbehet ta marr pranë vetes nuk e ka peshën e asaj të verës. Aroma shumëfirmëshe që përhapet e përplaset mureve në fakt është qesharake. Titujt si “Prada”, “…Choco -Channel”, “J’adore”, “Burberry”, etj që shqiptohen si mbiemra aristokratësh në shekullin e 18-të, të bëjnë të ndjehesh sikur je jo në një kinema në pritje të një premiere, ku sfida e modës do të vijë nga ekrani, por në një Galaxi & Media Center diku në ndonjë metropol europian në periudhë ndërrimi sezonesh, ndërrimi llojshmërie, uljesh “në përqindje”, ku njerëzia lëshohet për të mbushur çantat me “mall të zgjedhur”, e ç’rëndësi ka që ai i modës në fakt tani po i heq qafe për t’i lënë vendin, sfilatës së re!
E pamësuar me bindjen, një pjesë e mendjes sime nis e kundërshton. Mungon dikush këtu! E sheh apo jo ?! Kjo është një festë ku mungon gjysma tjetër e jotja! Cila, i them rreptë pjesës së pabindur. E kush tjetër? Nuk e sheh se mungon gjysma tjetër e vetes tënde?! Edhe këtë duhet të ta them? Lavd Zotit, nuk i thashë me zë këto fjalë! Fytyra e qetë dhe me buzëqeshje të stampuar e damës aty ngjitur më bën të qetësohem. Aha, keni frikë ta mendoni !? Keni ardhur të shihni “Sex & the city” dhe keni frikë të kujtoheni për gjysmën tjetër! Ah, kjo shtirje është krejt e tepërt. Duhet t’i thërresësh mendjes, i them vetes. Kthehu mbrapsht dhe nise arsyetimin nga e para.
Mirë që u kujtova për këtë rit shpëtimtar të mendimit tim: herë pas here më duhet ta komandoj “sërish” një pjesë të hard diskut (dreq, këtu njerëzia janë veshur “soft” dhe gati sa nuk pëlcasin nga babëzia për përjetime “hard”, ndaj duhet ta shmang për disa minuta këtë fjalë) brenda mendjes sime. E bëj këtë sa herë kur më duhet të shkundem nga rutina e së zakonshmes. Aha, mungon e ndryshmja ime fizike. Vërtet! Të ketë qenë ftesë vetëm për grari? Në të vërtetë unë veten time e kisha plotësuar me pjesën e munguar qysh në çastin e marrjes së ftesës. Një festë grarishte? Një tjetër maskaradë pa maska?! Një festë “Lisistrata-sh”, si në komedinë e famshme të Aristofanit? Fuqinë e kanë damat. Por tani damat janë shpërpjestuar në formë dhe në përmbajtje ! Jo, thjesht po e përjashtoj veten!
Të menduarit e parë se c’më bën të vij atje, kur filmi është vetëm për grari, nuk më la ti jepja mendjes faktin se kisha shkuar vetëm për tu zbavitur! Ndjen sikur të ishin ato protagonistet e filmit, sikur do të dalin nga ekrani e të shpërndajnë autografe. Autografe grave! Se gjini tjetër nuk ka! E di mirë përgjigjen e një pjese të tyre: “Jo moj, jo, kjo “Virginia Ëoolf” jona nuk mund të sillet ndryshe!” Nuk më vjen keq për krahasimin me Virginia Ëoolf, të cilën një zot e di në e kanë lexuar vërtet apo thjesht kanë dëgjuar në biseda kafenesh dhe studiosh.
Së bashku, me shkrepëtima e vetëtima vështrimesh, me mendjen më shumë tek vetëparaqitja se tek ekrani edhe kur diçka shohin nga ekrani, s’dinë me çka të qeshin e me çka të qajnë! Të qajnë? Jo, kjo kurrë nuk mund të ndodhë. Kështu ka qenë gjithë jetën, kështu ka për të qenë gjithnjë. Ato nuk kanë ardhur as për pjesën e dytë të titullit të filmit, për qytetin. Ato kanë ardhur vetëm për atë pjesën tjetër të filmit: seksin. Madje as për seksin në kuptimin e plotë të fjalës. Vetëm për atë pjesë që mund t’u krijojë iluzionin e grave të lira dhe të qytetëruara që në gjuhën e tyre do të thotë të gajasen me lakuriqësinë, ca më tepër, me falluset prej plastike që rrugëve të Parisit mund t’i gjesh për gjysmë euroje! T’i mbushin mendjen vetes, se janë njësoj si personazhet e filmit. Kaq.
Virginia Voolf po pret prej 80 vjetësh në portokalli për të tejkaluar mashkullizmin e shoqërisë. Por kjo mbrëmje është pushtuar nga jeshilja, ose e shilta pat thënë një malësor prej Boge ditë më parë kur e pyeta, se cfarë ngjyre e tërhiqte më shumë ndër Bjeshkët e Namuna në të gjitha stinët e vitit. E Jeshilta si sytë e një macoku në gjueti, derdhet nga sytë e damave të pispillosura, e vigjilente ndaj njëra-tjetrës se mos po e shkelin startin pa u dhënë shenja. Edhe ajo jeshile, sigurisht. Vigjilente se mos radha po prishet nga ndonjëra prej tyre sepse ka një marrëveshje të heshtur midis tyre këtu. Eshtë marrëveshja e bashkësisë që gjahun e kërkojnë kolonisht, deri në çastin e dorëzimit. Pastaj? Pastaj jo në të gjitha mund të ketë solidaritet! Megjithëse …
Ka kaq shumë jeshile këtu! Jeshile në sytë, jeshile në lentet, jeshile në make up-in, jeshile në palimpsestin e rrafshimeve të përditshme të fytyrës. Jeshile si leja. Jeshile si “pa ndalim, pa kufi”. Jeshile si “pa censurë”. Jeshile si “bëj ç’të të shkrepet”! Jeshile luksi dhe hareje, gajasjeje dhe tymi, lirie të rreme dhe gjuetie pylli! “Eyes green up!” – më vjen të perifrazoj titullin e filmit të Hollywood-it “Eyes wide shut!”. Vetëm se këtu, s’ka sy të ulur. Ka vetëm sy, që derdhin t’shiltën e malësorit tim pa fund.
Krejt çka mund të përftoja nga “uvertura” e kisha marrë ndërkaq. Vetëm se tashmë vëmendja më ishte shpërqendruar. Nga të shihja më parë: nga ekrani, apo nga galeria? Ku luhej “Seksi dhe qyteti”, brenda celuloidit apo rreth e qark meje?
Sa të lumtura janë, mendova. Janë “eyes green up” njëra më shumë se tjetra. E jeshilta është gjithë çka ato duan të jenë para syve të kamerave, reporterëve, apo syve të botës. Jeshile si një wallpaper në koleksionin e pamjeve të ndërrueshme të kompjuterit. Jeshile, si lumturitë sezonale të bimëve. Jeshile si gëzimet kalimtare të kësaj bote. Ashtu duan të jenë: të lumtura, të hareshme, të lëvizshme, të shkolluara mjaft, për ta përshëndetur “hi!” apo “hola” njëra-tjetrën jo vetëm me përzemërsi.
Sa larg kisha shkuar?! Jo dhe aq në fakt! Aty te hyrja ka shumë trafik tani. Askush në botë s’mund të deshifrojë atë mish-mash grarie të ngatërruar keqas, me një botë që askujt si përket vetvetiu. Një botë krejt e padenjë, që, në perden e bardhë të projeksionit, nuk sheh asgjë tjetër veç seksit dhe qytetit. Asnjë grimë përgjegjshmërie për atë që ka vlerë në këtë botë: jetën.
Askush nuk e vrau mendjen se çfarë thanë protagonistet atë mbrëmje, jashtë detyrës për të paraqitur veshjet dhe për t’u dhënë hijeshi kostumeve firmato. Ajo mbrëmje ishte vetëm për jeshilosje dhe për t’i dhënë rëndese vetes me praninë e vet! E kjo gjetje e fundit, ish ajo që më pëlqeu më fort!
Aty në ekran, katër aktore, me lirinë rrotull, të katra të zbavisin si katër musketiere. Ashtu bashkë edhe i vidhen realitetit sepse ato e kanë kapërcyer kufirin e së zakonshmes më shumë se gratë tona të galerisë. Ato e duan lirinë dhe për më tepër e kuptojnë ku gjendet ajo. Krejt të qarta për hapat e njëpasnjëshëm, nuk ke ç’pret nga ato veç dashurisë si formë e të kuptuarit të ekzistencës së vetes. Për to, kjo është ajo që meriton më shumë vëmendje në të përditshmen e tyre.
Dhe ndaj vijoj më tej: “Sex and the City” – një botë e çmendur që vrapon, pa një motiv të bukur në jetë po aq të qendrueshëm. Protestantet e heshtura të Europës së lashtë nuk janë aq të cekëta sa duken në ëndrra, por dhe në jetë. Të jeshiltat e filmit s’më përafrohen kurrkund me ato që kam pranë. Në film në një vrap që s’ndalet, ndërsa këto këtupari rreken të jenë të tilla, por rrugës kanë ndrruar shpesh “fustan”. “Sex & City“ ynë gjurmon heshturazi ngjyrën e luksit arab, por fijet, rrugës m’u ngatërruan keqas deri në ekranin e madh. Rrugës, koka shumëngjyrëshe harabelësh, m’u përfshinë në vizionin tim.
Top Channel