9 muaj pas tërmetit të 26 nëntorit plagët janë ende të hapura për banorët e Thumanës. Nisja nga puna për ndërtimin e infrastrukturës urbane në këtë shesh, ku do te ndërtohen shtëpitë, private, është një lajm i mirë që ka ringjallur shpresën për këtë komunitet.

Paraditen e kësaj të diele e vetmja shenjë se në Thumanë, është duke u punuar janë ky grup punëtorësh të përfshirë në ndërtimin e sistemit të kanalizimit të ujërave të zeza.

Këto punime janë financuar nga Fondi Shqiptarë i Zhvillimit dhe kompania ka një afat 5 mujor për të përmbyllur këtë fazë, e cila do të pasojë me hapjen e themeleve të më shumë se 300 banesave private.

Po në atë zonë ku tërmeti shkatërroi, disa pallate është parashikuar rindërtimi i tyre që nuk ka nisur ende. Valter Doda e ka kthyer në ritual të përsëritshëm ardhjen në këtë shesh ndërtimi për të parë progresin e punimeve. Ai është njëri prej atyre që do të akomodohet në një shtëpitë e reja.

Askush nuk mund t’i japë një përgjigje Valterit dhe të tjerëve se kur do t’i marrin çelësat e shtëpisë së re. Disa javë më parë tek sa inspektoi punimet e një shkolle kryeministri Rama kërkoi që kompania ndërtuese të punonte me tre turne.

Mesazhi ishte i qartë. Të fitohet koha e humbur e bllokimit të punimeve prej Covid-19. Ishte presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i cili njoftoi ndërtimin e 500 banesave individuale në Laç.

Qeveria shqiptare, një ditë më parë njoftoi nisjen e punimeve për ndërtimin e këtyre banesave. Realizimi i projektit do të kryhet nga kompania turke e ndërtimit Allbajrak Inshat, dega Shqipëri në një hapësirë prej 72.000 metra katrorë.

Kontrata parashikon që punimet të përfundojnë për 360 ditë. Faza e parë parashikon gërmimet 6.5m nën nivelin e rrugës dhe i gjithë konstruksioni banesave do të jetë armaturë beton dhe tullë.

Pas Thumanës dhe Laçit, kryeministri Edi Rama thotë se së shpejti hapen kantieret  edhe në Durrës, me lagjen e re në Spitallë dhe pallatet e reja në pikat e ndryshme të qytetit, ku u shembën të vjetrit. Në kantieret e Durrësit, që financohen nga Emiratet e Bashkuara, do të punojë një kompani prestigjioze nga Dubai, me të cilën po bashkëpunojmë ngushtësisht prej muajsh për projektet.

Top Channel