Xheneriku 15-vjeçar/ Pasioni për makinat, njihuni me Pandeljon nga Gjirokastra

22/08/2020 12:30

Pandeljo është 15 vjeç por pasioni i tij për makinat ka nisur që në fëmijërinë e hershme.

Që prej moshës 8 vjeçare ai filloi të zhbironte online videot ku riparoheshin mjete dhe filloi të kuptonte më shumë mbi ndërtimin e mjeteve, mbi pjesët xhenerike, mbi funksionimin e motorëve dhe pasioni i tij u lidh ngushtë me mjetet e shpejtësisë.

Si fëmijë Pandeljo ishte i apasionuar pas mjeteve të garave dhe ëndërronte që mjeti i tij të arrinte shpejtësi të tillë prandaj vendosi që në moshën 13 vjeçare të eksperimentojë me një mjet të vjetër që gjendej në oborrin e tij. Mjeti ishte përdorur për një kohë të gjatë nga familja dhe ishte në gjendje të amortizuar, gati për tu shitur për skrap por Pandeljo e pa si një mundësi për të eksperimentuar dhe për të parë nëse mund ta sillte në gjendje funksionale.

“ Kam nisur që në moshën 13 vjeçare duke mësuar për marka të ndryshme, për shpejtësinë, duke parë format e jashtme, më pas filloi të mësoj për pjesët xhenerike si funksiononin gjithë kohës në You Tube. “

Sot pas dy vitesh mjeti është në gjendje të dalë në rrugë dhe të ketë parametra të pranueshëm.

“ Kur i bëra ca ndryshime makinës vura re që kishte nevojë për guanicion kolektori dhe shkova në një servis, aty i bëra çmontimet vetë. Ata vetëm më ndihmuan pak me pjesën e shpjegimit dhe pjesët e tjera pastaj i bëra vetë.”

Klodi nëna e Pandeljos thotë se kanë investuar në disa mjete për ta ndihmuar djalin për t’ja dalë me riparimet.

“Djemtë janë gjithnjë të prirur nga ana xhenerike, nga ana e makinave mirëpo Pandeljo na ka surprizuar sepse që i vogël ka tentuar që të kërkonte e zbulonte, të ngiste makinën madje ka bërë edhe gabime kur ishte i vogël.

A keni investuar vegla për pasionin e tij?

Në kushtet ekonomike ku ndodhemi nuk mund të themi se ekziston luksi për të hedhur lekë tepër për të argëtuar një fëmijë nëse mund ta quajmë kështu. Në këtë pjesë ai mundohet të na kursejë shumë duke u përpjekur që to gjejë pjesët në makinat e prishura, në varrezat e makinave. Aty shkon gjithnjë me shokët dhe merr ato pjesë që i duhen me kosto minimale.”

15 vjeçari shpenzon shumë kohë në varrezat e makinave për të gjetur pjesë nga mjete të vjetra për makinën e tij dhe ëndërron qe një ditë të bëhet inxhinier mekanik. Koha e tij e lirë shkon vetëm për riparimin e mjetit.

“Qëllimi më i afërt është që kur të marr patentën ta provoj këtë makinë në rrugë e të shoh se çfarë kam ndërtuar vetë.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA