(24 orë nga jeta e Jozef Shvarcit)
nga Xheni Shehaj

Remarku është ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të shekullit të XX-të. Autor i disa romaneve të suksesshme, ai ka sjellë tek lexuesit dramën e një kombi të tërë. Duke qenë edhe vetë pjesëmarrës në luftë, duke qenë dëshmitar i tmerreve, torturave, krimeve, Remarku ka mundur të përshkruajë përsosmërisht ndjenjat më të natyrshme njerëzore të tilla si: dashuria, dhembshuria, frika, uria, nostalgjia. Personazhet e Remarkut janë realë, të ndjeshëm, humanë. Letërsia e tij është e mbushur me humanizëm, në të gëlon jeta, por edhe vdekja.

Realizmi dhe romantizmi i autorit ecin paralelisht. Ndoshta kjo është dhe arsyeja që emri dhe veprat e tij nuk janë lënë në harresë por vazhdojnë të lëvrohen fort edhe në kohën që jetojmë. Remarku është eksplorator ndjenjash. Ai ka ditur të përdorë simbole, të heqë paralele, të përdorë muzikën për të treguar gjendje të caktuar rrëfimi, të shfrytëzojë natyrën, ujin e plot elemente që i japin veprave të tij bukuri dhe stil unik.

Subjekti i romanit shkurtimisht

Viti 1942. Një burrë endet natën nëpër portin e Lisbonës duke vështruar anijen që të nesërmen do të niset për në Amerikë. Synimi i tij është të shkojë në “dheun e premtuar” por ai nuk ka as vizë, as para. Jozef Shvarc, një i panjohur, i dhuron burrit që endet në port dy bileta udhëtimi por me një kusht: që burri mos ta lërë vetëm atë natë dhe të dëgjojë historinë e tij. Kështu nis rrëfimi i Shvarcit për jetën e tij, arratisjen nga Gjermania pasi i kunati e spiunoi, ritakimin me të shoqen, Helenën, arratisjen e të dyve. Shvarci i tregon të panjohurin për ndodhitë që ka kaluar bashkë me të shoqen nga një shtet në një tjetër, i tregon për sëmundjen e saj, për kampin ku ajo ndenji për ca kohë dhe për burgun ku qëndroi ai, për kunatin nazist që nuk ju ndahej e i ndiqte këmba – këmbës derisa Shvarci e vrau. Në fund bashkë me të panjohurin e përcolli trupin e Helenës për në banesën e fundit dhe pasi u nda me “dëgjuesin” e historisë së tij, u regjistrua në Legjionin e huaj.

– Rrëfimi

Romani “Një natë në Lisbonë” qëndron mbi dy rrafshe rrëfimesh. Rrëfimin e nis një burrë i ri, një gjerman pa identitet, i cili kërkon të largohet nga porti i Lisbonës drejt Amerikës. Ky burrë ka mundur t’i shpëtojë kthetrave të nazizmit dhe tashmë po bën përçapjen e fundit për të fituar lirinë. Por si emigrant që është nuk ka as vizë, as biletë për anijen që do të lundrojë drejt “tokës së ëndrrave” dhe as para. I kredhur në dëshpërim, burri ecejaket nëpër mol. Jozef Shvarci, një gjerman me identitet të rremë, ndodhet në të njëjtin port me burrin e panjohur. Të dy patriotët takohen vetëm sepse Shvarci kërkon medoemos të hyjë në bisedë me të panjohurin. Dhe pikërisht në këtë çast shtylla e rrëfimit parësor thyhet për të kaluar fillimisht në një bashkëbisedim e më pas në një tjetër rrëfim, atë të vetë Shvarcit. Romani mbyllet me rrëfimin e burrit të panjohur, i cili pasi është ndarë me Shvarcin vazhdon të rrëfejë fundin e odisesë së tij. Jozef Shvarci i rrëfen të panjohurit historinë e jetës së tij që nga arratisja prej kampit të përqëndrimit (brenda të cilit e pati futur i kunati), vendosja në Francë, kthimi sërish në atdhe fshehurazi për të takuar gruan, arratisja e të dyve, peripecitë nëpër vende të ndryshme e deri në momentin kur takoi atë, dëgjuesin e tij. Një odise e vërtetë. Shvarci në fillim i dhuron të panjohurit dy bileta për në Amerikë, me kushtin e vetëm që ai ta kalojë natën me të e të dëgjojë gjithë historinë e tij. Përmes rrëfimit që Jozef Shvarc bën përballë të panjohurit kërkon t’i lërë lamtumirën vetes së tij, identitetit të tij të rremë, të huazuar nga një çifut austriak, jetës së jetuar deri më atëherë. Shvarci tenton të “zhbëjë” vetveten që ka gjalluar gjatë atyre viteve, të hedhë pas gjithë sa ka jetuar e të rinisë një jetë tjetër, si dikush tjetër. Dy burrat e kalojnë natën sa në një bar, në një tjetër, duke pirë. Njëri rrëfen, tjetri dëgjon, e hera – herës, ndërthuret një bisedim i shkurtër mes tyre.

– Simbolet

Remarku në romanin në fjalë ka përdorur një sërë simbolesh.

– Episodi i ndriçimit; është ndër të parët që përmendet. Në Lisbonë llamburisin dritat, ndërsa në Gjermani të mbyst errësira. Ky paralelizëm bart në vetvete një simbolikë të fortë, atë të errësirës naziste.

“Po bëhej një javë që isha në Lisbonë dhe prapë nuk po mësohesha me ndriçimin e shkujdesur të këtij qyteti. Në vendet nga vija unë, qytetet natën dukeshin si miniera qymyri, dhe një fener në atë errësirë ishte më i rrezikshëm se kolera në mesjetë. Këtu njeriut i duket sikur dikush ka harruar të mbyllë dritën, dhe i bëhet sikur nga një çast në tjetrin do shpërthejë ndonjë sulm ajror.”

– kështjella; Shvarci dhe Helena gjatë arratisjes së tyre nëpër Francë mbërrijnë të strehohen përkohësisht në një vilë të braktisur që ngjan si kështjellë. Ai vendqëndrim simbolizon strehën, sigurinë, mbrojtjen.

– kishat dhe muzetë; në libër përmendet disa herë se kishat dhe muzetë ishin vende të sigurta për të mos rënë në sy gjatë regjimit nazist. Kjo lidhet me faktin që nazistët nuk kishin kohë të merreshin me Zotin dhe me artin.

– uji; është përdorur gjerësisht në vepër dhe thuajse më së shumti ka të njëjtën domethënie, pastrimin, largimin e pisllëkut (këtu nënkuptohen kujtimet e këqija, përndjekjet, torturat). Kredhja ose zhytja në ujë ndodh si me Shvarcin, i cili zhytet për të kaluar kufirin, ashtu dhe me Helenën, e cila zhytet për të notuar. Të dy përjetojnë një lloj qetësie dhe shplodhjeje, pasi uji i qetë dhe i njëtrajtshëm ua ka platitur shpirtin për pak kohë.

“Isha shumë i qetë dhe plotësisht i çlodhur. Më dukej sikur merrja frymë sipas ritmit të ujit. Uji rridhte si frymëmarrja ime, dhe bashkë me të, përshkohej nëpër trupin tim.”

– natyra; shfaqet në të gjitha dimensionet e saj në vepër. Herë e buzëqeshur e me diell, e herë me shi e trishtim. Personazhet duken sikur lëvizin pambarimisht në natyrën që ndryshon veshje. Shpesh herë ajo i ka strehuar të arratisurit në gjirin e saj të madh, e herë të tjera i ka marrë në mbrojtje duke u falur disa orë gjumë. “Gjatë tërë kësaj kohe natyra qe për ne diçka jetike, ashtu siç është për kafshët. Ishte e vetmja që s’na dëboi kurrë. Në gjirin e saj nuk kishim nevojë as për pasaportë e as për dëshmi prejardhjeje ariane.”

– muzika; luan rol të rëndësishëm në roman. Muzika e tavernës ku ulen fillimisht Shvarci dhe dëgjuesi i tij, është këngë sentimentale e dramatike e luajtur në kitarë si për të ecur paralel me rrëfimin që do të nisë Shvarci. Në klubin rus të natës muzika është melankolike dhe përputhet përsosmërisht me tregimin e Jozefit për kthimin në vendlindje, nostalgjinë për shtëpinë e gruan. Ndërsa kur ai nis të rrëfejë historinë e tij të dashurisë me të shoqen, Helenën, ritakimin e tyre pas pesë vitesh mungesë, në barin ku janë ulur orkestra luan një vallëzim.

– Shvarc; vetë mbiemri i personazhit në gjuhën gjermane do të thotë “i zi”, çka mund të nënkuptojë fatin e keq që ndoqi këmba – këmbës Jozef Shvarcin, vdekjen e së shoqes, arratisjet, etj.

– kanarina në kafaz dhe macja mbi parvaz; kanarina këtu simbolizon personazhin e Helenës e cila është ngujuar në kafazin e sëmundjes. Macja nënkupton kancerin, sëmundja që po i merr jetën Helenës.

– era e vdekjes; Helena që vuan nga kanceri dhe e pret vdekjen stoikisht, është më e ndjeshme ndaj erës së vdekjes. Por erë vdekjeje shpërndajnë dhe nazistët, dhe çizmet e tyre, uniformat dhe makinat. Kudo ndjehet era e saj. Të gjitha këto simbole e bëjnë romanin më domethënës e tërheqës. Në vepër nuk mungon mendimi filozofik, urtësia dhe përvoja. Arsyetimet e Shvarcit mbi Zotin dhe vdekjen janë një pasazh i vogël i librit. Në fund të romanit Jozefi në bashkëbisedim me të panjohurin, kërkon të kapë kuptimin e jetës së tij. “Jua rrëfeva jetën time, sepse dua ta di ç’ka qenë. Mos ka qenë vallë një jetë boshe, e kotë, jeta e një njeriu të padobishëm, e një burri që i vënë brirë, e një vrasësi…” E pra kjo mori dyshimesh mbi jetën e jetuar vjen ose kur njeriu është në fund të jetës dhe ndjen se po ecën drejt vdekjes, ose kur lufta, jeta e vështirë, e ka tjetërsuar deri në atë masë sa nuk di më se ç’jetë ka jetuar. Dhe është pikërisht kjo e fundit që autori ka shfrytëzuar për të ravijëzuar e sjellë aq bukur personazhin e Shvarcit. Këtë di ta bëjë vetëm Remarku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA