Tropoja mirëpret “Kukësin”/ Trajneri Gega stërvit ekipin në vendlindjen e tij

19/08/2020 12:49

Qyteti i Bajram Currit lidhjet e tij me sportin i ka më tepër me basketbollin, ku ekipi i Valbonës ka qenë protagonist, ndërkohë sa i përket futbollit, historiku është i vakët.

Skuadra e futbollit thuajse inekzistente, ndërkohë te vetmet emra që lidhin këtë qytet me këtë sport janë Krostal Abazaj, ish-futbollist i Kukësit dhe vëllezërit Gega, Halit dhe Skënder Gega. Ky i fundit i rikthyer në qytetin e lindjes prej disa ditësh së bashku me skuadrën e re që drejton Kukësin.

Gazetari: Profesor më shume se një javë me ekipin në vendlindjen tënde dhe besoj edhe me skuadrën je familjarizuar.

Skënder Gega, trajner i Kukësit: Ky është vendi i prindërve të mi dhe vendlindja ime dhe unë këtu jam rritur dhe këtu kam filluar hapat e para. Por kjo nuk ka lidhje me programin e Kukësit apo me marrëveshjen tonë. Ne e zgjodhëm Tropojën si një vend që nuk i mungon asgjë, as natyra, as ushqimi por edhe klima e mrekullueshme.

Skuadra e Kukësit do të luajë në Europa League ndaj  bullgarëve të Slavias së Sofies. Verilindorët do të përballen me ta në “Air Albania Stadium” në Tiranë më 27 gusht.

Skënder Gega, trajner i Kukësit: Është një ekip që nuk është i frikshëm, por që në asnjë mënyrë nuk duhet nënvlerësuar. Kemi fatin dhe shansin që luajmë në fushën tonë në Tiranë.

Gazetari: Janë larguar kualitete nga Kukësi si Shkurtaj Abazaj. Mendon se lojtarët e afruar janë të të njëjtit nivel?

Skënder Gega, trajner i Kukësit: Shpresoj të jetë kështu, ka qenë koha shumë e shkurtër dhe klubi bashkë me mua ka bërë përzgjedhjet. Kemi patur shumë kandidatura, disa lojtarë nuk ranë dakord me klubin, me disa klubi nuk ra me lojtarët. Të paktën tre afrimet e fundit janë profesionistë. “

Gazetari: Më shumë se kampion nuk di se ç’mund të dalë një trajner në Shqipëri, ty të duhet tani të përsërisësh veten.

Skënder Gega, trajner i Kukësit: Unë mendoj se asgjë nuk mund të jetë fotokopje. Kjo është një sfidë e re një ambient i ri. Edhe kundërshtarët punojnë, nuk është vetëm Kukësi që punon dhe ka synime. Rëndësi ka që mos rëndohen lojtarët më shumë seç duhet po të punohet, sepse askush nuk është i pagabueshëm.

Merkatoja dhe hapësirat që kanë lënë emrat e larguar duket të jenë një pikëpyetje që e ngre edhe kapiteni Besar Musolli.

“Mundem të them që janë larguar tre lojtarët më cilësorë të kampionatit, lojtarë të ri kanë ardhur. Po mundohemi që të përshtaten sa më shumë, të jenë gati, por ndeshja do t’i tregojë të gjitha”, shprehet Besar Musolli, kapiten i Kukësit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA