Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është deklaruar rreth shërimit të tij nga COVID-19.

Gjithë të infektuarve me këtë virus, ai iu ka uruar shërbim të shpejtë, derisa ka bërë thirrje për kujdes dhe respektim të masave për mbrojtje nga COVID-19.

Kryeministri ka theksuar se është shqetësuese që ka ende qytetarë që nuk besojnë ekzistimin e virusit COVID-19.

“Pas dy javësh trajtimi mjekësor dhe në izolim, sot u jam kthyer detyrave në zyrë i shëruar plotësisht nga Covid-19. Bashkëndjej dhe u dëshiroj shërim të shpejtë të gjithë të prekurve. Shfrytëzoj rastin që t’ju bëj thirrje sërish, të jemi të kujdesshëm dhe të respektojmë në përpikëri masat për mbrojtje nga COVID-19. Ka ende qytetarë që nuk besojnë se virusi ekziston dhe kjo është shqetësuese. Numri i rasteve me të infektuar dhe viktima vazhdon të jetë i lartë, prandaj derisa të zbulohet vaksina, ne duhet të tregojmë kujdes të shtuar”, ka shkruar Hoti.

Po ashtu ai ka shkruar se bashkë me kabinetin janë të vendosur që të shtyjnë përpara agjendën e Qeverisë dhe të qëndrojnë pranë qytetarëve e bizneseve ne ballafaqimin me pasojat e shkaktuara nga pandemia.

“Bashkë me kabinetin, jemi të vendosur më shumë se kurrë që ta shtyjmë përpara agjendën e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe t’u qëndrojmë pranë qytetarëve e bizneseve në ballafaqimin me pasojat e shkaktuara nga pandemia”, shkruan ai.

Top Channel