Dy javë më parë i mori nënën, koronavirusi vret në moshë të re inspektorin arsimor në Tiranë

18/08/2020 16:54

Koronavirusi vijon të marrë jetë në vendin tonë. Së fundmi viktimë e këtij virusi ka mbetur një inspektor arsimor në Tiranë, Alfred Koçi. Akoma më tragjik është fakti se rreth dy javë më parë koronavirusi kishte vrarë nënën e Alfred Koçit dhe tashmë vetë atë. 

Edhe pse në moshën 40-vjeçare dhe pa sëmundje të tjera shoqëruese, Alfredi nuk mundi t’i bënte ballë këtij virusi.

Ndërkohë kolegët kanë bërë një dedikim prekës për 40-vjeçarin duke e cilësuar si një njeri të papërtuar në Zyrën Vendore të Arsimit.

“Nuk kemi fjalë ngushëllimi për largimin e parakohshëm të të ndjerit Alfred Koçi!

Më i qeshuri dhe i papërtuari ndër ne në Zyrën Vendore të Arsimit!

Trishtim i madh! Nuk munde mik i shtrenjtë të mundje të keqen që të kaploi dhe të largoi nga familja jote e dashur, të afërmit e tu dhe shoqëria jote! Na le të gjithve me një plagë të madhe të pashërueshme në shpirt!

Do të na mungosh shumë o njeri i mire!

Do të na mungojë optimizmi yt, zëri yt, gazi yt i dlirë!

Ti nuk ke më nevojë për ne, aty lart në qiellin e amëshuar! Por ne kemi nevojë të të sjellim nëpër kujtime!

U prehsh në paqe inspektor Alfed Koçi, mik i mirë, baba i dashur, prind i përkorë!

Qofsh i parajsës!”

Top Channel