Pelosi mbledh Kongresin: Të shpëtojmë shërbimin postar

17/08/2020 12:08

Liderja e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, Nancy Pelosi u ka kërkuar anëtarëve të kongresit të kthehen në një seancë për të votuar legjislacionin që do të ndalonte ndryshimet në Shërbimin Postar, pas reformave të prezantuara nga drejtori i këtij departamenti, njëherësh aleat i presidentit amerikan, Donald Trump.

Demokratët, që kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, kanë shprehur shqetësime se reformat janë pjesë e përpjekjeve për të dëmtuar Shërbimin Postar, në kohën kur votimi përmes postës mund të lehtësojë procesin për shumë njerëz që ngurrojnë të shkojnë në qendrat e votimit, për zgjedhjet presidenciale më 3 nëntor.

“Në kohë pandemie, Shërbimi Postar është Qendër Zgjedhore”, u ka thënë Pelosi kolegëve të saj. “Jeta dhe demokracia amerikane po kërcënohen nga presidenti”.

Trump ka nxitur diskutime të mëdha pas kritikave që ka bërë ndaj votimit përmes postës, duke thënë se një gjë e tillë mund të rezultojë në manipulime. Ai ka zemëruar demokratët edhe duke zvarritur diskutimet për një paketë të re të ndihmës ekonomike, në mënyrë që të bllokojë procesin e ndarjes së më shumë fondeve për votimin përmes postës. Megjithatë Trump më vonë ka thënë se nuk do t’i vendosë veton këtij projektligji për ndihmën ekonomike, në të cilin përfshihen edhe fondet për Shërbimin Postar.

Kritikët e presidentit besojnë se dalja më e vogël në votime mund të rrisë mundësinë e fitores së mandatit të dytë në Shtëpinë e Bardhë, ndonëse shefi i stafit të Trumpit, Mark Meadoës, ka hedhur poshtë këto pretendime. Shërbimi Postar paralajmëroi muajin e kaluar zyrtarët zgjedhorë në disa shtete amerikane se me praktikat e reja, ka mundësi që shumë vota përmes postës mund të mos numërohen në kohë në zgjedhjet e nëntorit.

 

Top Channel