Në vijim të Operacionit Forca e Ligjit u janë nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, katër shtetasve.

Bëhet fjalë për Julian Toro, banues në Vlorë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; Viktor Shoraj
(alias Robert Toro), banues në Vlorë, i dënuar në Itali për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”;  Dino Abazi, banues në Vlorë, i dënuar për veprën penale “Mbajtja e substancave narkotike” dhe Daniel Nikaj, banues në Vlorë, i dënuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Top Channel