Merr fund kriza në kufi/ Makinat e fundit kaluan në mesnatë. Nga sot në kufi kërkohet certifikata e testit

17/08/2020 15:06

Sot në Kakavijë situata duket tërësisht e qetë. Gjatë mbrëmjes se djeshme deri në orën 1 të mëngjesit kanë kaluar gati 3300 persona dhe gati 1600 mjete, të cilat ishin duke pritur në radhë për ditë të tëra.

Situata ishte vërtet e rëndë dhe dramatike dhe u shoqërua me tensione të shumta, bllokime të pjesshme të aksit nacional, ndërsa radha përgjatë ditëve të fundit arriti në 12 km. Kjo ishte situata më e vështirë e shënuar ndonjëherë në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe u shoqëruar gjithashtu me riskun e lartë të infektimit me Covid-19 për shkak se nuk u zbatuan dot protokollet e sigurisë për të parandaluar përhapjen e infeksionit. Njerëzit ishin në ankth për të kaluar kufirin përpara datës 17 ditë kur ka filluar regjimi i ri i aplikimit për hyrje në shtetin grek.

Që prej ditës së sotme të gjithë ata që do të kalojnë përmes Kakavijës duhet të prezantojnë përpara autoriteteve greke, formularin PLF, i cili gjeneron një kod brenda 48 orëve si dhe rezultatet negative të testit për Covid-19 që kryhet në një laborator publik apo privat në Shqipëri i njohur zyrtarisht. Të gjitha këto dokumente duhen përkthyer në gjuhën angleze si Dhe qytetarët duhet të prezantojnë qartë adresën dhe vendqëndrimin e mëtejshëm në Greqi ku edhe do të karantinohen për një javë.

Deri tani kufirin me Greqinë e kanë kaluar jo më shumë se 10 persona por që nga dita e nesërme pritet që numri të rritet. Autoritetet greke kanë vendosur një limit prej 750 personash për 24 orë dhe përtej këtij numri sistemi nuk do të lejojë aplikime të mëtejshme. Përveç tensionit dhe pritjes radhët kilometrike të ditëve të fundit kanë lënë pas më shumë se 10 ton mbetje të cilat janë duke u pastruar tani nga bashkia e Dropullit, policia dhe zjarrfikësja.

“Në radhë të parë desha të uroj që të mos përsëritet më një situatë e tillë. Ishte shumë e rëndë dhe ne e përjetuam duke qenë edhe pranë njerëzve për t’i mbështetur me ujë dhe ushqime.  Rreth 10 ton mbetje kanë ngelur në aksin nga Jergucati në Kakavijë, për të cilat jemi angazhuar të pastrohen deri nesër”, tha Panajot Lula, nënkryetar i bashkisë.

Me shumë gjasa gjithë kjo situatë do të marrë zgjidhje brenda pak ditësh por ajo që nuk do të harrohet është ankthi, dhimbja pritja, sakrifica, ditët e nxehta situatat e vështira shëndetësore si edhe humbja e jetës së një fëmije 10 vjeç  përgjatë aksit kilometrik të pritjes drejt pikëkalimit të Kakavijës.

 

Top Channel