Italia mbyll klubet e natës! Rriten infektimet nga koronavirusi

17/08/2020 12:38

Nga e hëna, Italia mbyll klubet e natës dhe e bën të detyrueshme mbajtjen e maskave gjatë natës në disa zona të vendeve të hapura.

Ky është rikthimi i parë e kufizimeve, pas rritjes së rasteve të koronavirusit në gjithë vendin, veçanërisht mes të rinjve. Fotografitë e turmave të pushuesve të rinj që vallëzojnë dhe pinë natën, ishin në faqet e para të gazetave italiane. Rastet e reja gjatë javës së kaluar në Itali, vendi i parë evropian që u godit rëndë nga koronavirusi, ishin më shumë se dyfish nga ato të regjistruara tre javë më parë dhe mosha mesatare e personave që u infektuan ka rënë nën 40, sipas të dhënave.

Rregullat e reja që nisin të hënën do të zgjasin deri në fillim të shtatorit. Mbajtja e maskës kërkohet nga ora 18:00 deri në 06:00 në zonat afër bareve ku ka më së shumti grumbullime njerëzish.

Të gjitha klubet, përfshirë eventet në vendet e hapura dhe klubet e plazhit, do të qëndrojnë të mbyllura deri më 7 shtator. Ekspertët dhe politikanët kishin paralajmëruar se rihapja e shkollave mund të rrezikohet nga rritja e numrit të infektimeve. Shkollat në Itali pritet të rifillojnë më 14 shtator pas pushimeve të verës. “Ne nuk mund të dëmtojmë sakrificat e bëra në muajt e kaluar. Prioriteti ynë duhet të jetë ai i hapjes së shkollave në shtator, me siguri të plotë,” tha Ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza.

Të shtunën, ai i bëri thirrje të rinjve që të jenë sa më të kujdesshëm, pasi “nëse infektojnë prindërit dhe gjyshërit e tyre, ata rrezikojnë të krijojnë një dëm të madh”. Qeveria i lejoi klubet e natës të hapeshin pavarësisht kritikave se ata tërheqin turma, se distancimi sociali atje nuk respektohet dhe maskat nuk mbaheshin. Kjo industri ka të ardhura vjetore prej 4 miliardë eurosh. Ministri i Industrisë, Stefano Patuanelli, pranoi se do të ketë dëme ekonomike, por ai shtoi se nuk ka alternativë tjetër. Të dielën, 479 raste të reja u konfirmuan, ndërsa të shtunën shifra ishte 629. Që nga shpërthimi i koronavirusit më 21 shkurt, Italia ka regjistruar më shumë se 35,000 viktima.

Top Channel