Britani, fundi i zyrës/ Schroders: Punë nga shtëpia përherë

17/08/2020 14:04

Ka nga ata që në zyrë nuk ndjehen të sigurt, nga ata që kanë zbuluar se evitimi i rrugës për në punë i jep më shumë kohë, nga ata që kanë ndryshuar shtëpi, janë vendosur në fshat dhe nuk kanë ndër mend të bëjnë sërish llogaritë me trafikun dhe ndotjen në Londër.

Pas një sondazhi të brendshëm, shoqëria e menaxhimit të aseteve Schroders, ka vendosur kështu që punonjësit e saj mund të punojnë nga shtëpia gjithë javën, në mënyrë të përhershme. Nëse më parë ishte detyrimi që të vinin në zyrë të paktën katër ditë në pesë, rregullat tani kanë ndryshuar. Ndërkohë që kush menaxhon në qytet dyqane, bar, restorante e parukeri druan se vendimi i Schroders do të hapë rrugën edhe për organizata të tjera. Sipas një kërkimi të Morgan Stanley, punonjësit anglezë janë në fakt më ngurrues për tu kthyer në zyrë se sa kolegët francezë, gjermanë e italianë.

Zemra financiare e kryeqytetit britanik, vazhdon të ngjasojë me një zonë fantazmë. Nuk shihen njerëz përreth. Schroders është e para bankë që adopton masat e reja. Drejtuesit kishin thënë më herët se pandemia ka ndryshuar në mënyrë të padiskutueshme mënyrën e jetesës. Marrëdhënia mes komunitetit dhe sipërmarrjeve, nuk do të jetë më e njëjta – kish’ thënë ai. Zyra do të bëhet një vend takimi ku njerëzit mund të mblidhen për të diskutuar, por njerëzit do të punojnë nga shtëpia. Për kryebashkiakun e Londrës, Sadiq Khan, e ardhmja është shqetësuese. Pikërisht këto ditë ai ka lëshuar një apel që njerëzit të kthehen në punë duke nënvizuar se për qendrën e Londrës parashikohen paqartësi të mëdha.

“Ajo që duhet të kuptojmë është se nëse të gjithë vendosim të punojmë nga shtëpia, qendra e Londrës do të ketë probleme të mëdha. Shumë sipërmarrje të vogla mbahen me punën atje”.

Top Channel