Teksa raportoi shifrat e 24 orëve të fundit, sa i takon situatës së koronavirusit në vend, ku 3 persona humbën jetën dhe u regjistruan 120 raste të reja, Dr. Flutura Beqo bëri thirrje për kujdes.

“Ministria e Shëndetësisë bën thirrje qytetarëve se në rast se dyshoni se jeni të prekur nga Covid19 dhe keni shenja të sëmundjes, të telefononi menjëherë Urgjencën Kombëtare në numrin 127 ose në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 për t’u lidhur me mjekun tuaj të familjes. Menjëherë sapo të shfaqen shenjat e para, duhet të vetëizoloheni, dhe të këshilloheni me mjekun e familjes.  I bëjmë thirrje çdo qytetari për të mbajtur maskën kudo në ambiente të mbyllura apo ku nuk ruhet distanca, të ruani distancimin fizik dhe higjienën personale. Në këtë situatë të pazakontë, detyra dhe përgjegjësia e secilit është të zbatojë rregullat e thjeshta, të ruajë veten dhe të afërmit”, u tha ndër të tjera në deklaratë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 626 testime për të dyshuar të prekur nga Covid 19, ndërsa 120 persona janë konfirmuar positive me Covid19. Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 59 raste në Tiranë, 7 në Vlorë, 6 në Pogradec, nga 5 raste në Kukës, Berat, 4 në Roskovec, nga 3 raste në Krujë, Elbasan, Has, Kolonjë, nga 2 raste në Fier, Kurbin, Lushnje, Librazhd, Kamëz, Bulqizë, Kuçovë, nga 1 rast në Shkodër, Durrës, Devoll, Kavajë, Tropojë, Mallakastër, Prrenjas, Vorë. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 48 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3794, që nga fillimi i epidemisë. Aktualisht ne spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 125 pacientë të konfirmuar pozitivë, 15 pacientë janë në terapi intensive, 5 prej të cilëve të intubuar. Fatkeqësisht, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në dy spitalet Covid, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve 2 qytetarë nga Tirana, një 64 dhe një 78-vjeçar dhe një 82-vjeçare nga Elbasani.

Top Channel