Mjeshtri i dekorimeve artistike/ Zanatin që e mësoi në Itali, po e ushtron në Bulqizë

16/08/2020 19:59

Lulzim Plaku, nga fshati Okshatinë i njësisë administrative Shupenzë, të bashkisë Bulqizë, në 2001-shin, kur sapo kishte mbushur 16 vite, si shumë bashkëmoshatarë të tij, merr rrugën e emigrimit, duke u vendosur në Santomaro të provincës së Kazertës në Itali.

Për dy vite punoi me shkëputje në punë të ndryshme bujqësore, për shkak të moshës së mitur. Me mbushjen e moshës së punës, një pronar i zonës, i cili punonte me dekorime artistike të ambienteve të ndryshme, i bën ofertë për të punuar në punishten e tij artizanale.

Kjo ishte shkëndija që ndezi flakët e një zjarri të madh pasioni tek ai, një zjarr që e lidhi pazgjidhshmërisht me punën në fushën e dekorimeve artistike artizanale.

Pasioni i tij për punën ishte aq i madh sa Lulzimi, brenda një viti, falë pasionit e përkushtimit në punë, arriti që të realizojë ndërtimin e kallëpeve, për dekorime nga më të ndryshmet, duke fituar kështu edhe respektin e pronarit.

“Në 2016-ën, pas 5 viteve punë largohem nga Italia, për ta vijuar punën në vendlindje, Shupenzë, ku nisa punë në bashkëpunim me familjen, si dhe pa i shkëputur marrëdhëniet shoqërore me pronarin italian. Shumë shpejt ai arriti që në punishten e tij, në Okshatinë, të realizojë modele të ndryshme dekoruese si: lavamanë, shpendë oxhaqe, zgara mishi, parmakë të formave e modeleve të ndryshme, për ballkone vilash e deri te realizimi i portretit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skëndërbeu, përfshirë edhe oxhaqe dekorative të veshur me gurë”.

Shume shpejt puna e tij ra në sy te vizitorët e shumtë, që nga viti në vit erdhën në rritje, jo vetëm nga Bulqiza, Dibra, por edhe më gjerë Tiranë, Durrës, Dibër e Madhe, Kroaci e të tjera. Lulzimi dëshiron që këtë punë t’ua lërë në trashëgimi edhe tre djemve të tij, por deri më tani, vetëm djali i madh tregon interes për këtë zanat.

Top Channel