Ehsan Bidi, dezertor i kampit të muxhahedinëve dhe i dyshuar si agjent i inteligjencës Iraniane, është ende në Shqipëri.

4 ditë më parë nuk u bë e mundur dalja e tij jashtë vendit, pasi Bidi, një shtetas Iranian të cilit i është pezulluar leja e qëndrimit nga autoritetet shqiptare, tashmë figuron si shtetas me qëndrim të parregullt në vendin tonë.
Burime nga zyrat e Kufirit dhe Emigracionit, i thanë Top Channel, se Ehsan Bidi, u ndalua nga patrullat pranë kufirit të gjelbër me Greqi, pasi ai nuk mund të kalonte dot në kufirin grek, edhe pse me urdhër largimi vullnetar.

Patrullat më pas e shoqëruan Ehsan Bidin në Tiranë, ku Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit, sipas procedurës i mori përsëri gjurmët e gishtave Bidit për të vërtetuar që është i njëjti person që donte të largohej jashtë vendit, dhe tashmë i dyshuari si agjent Iranian është i lirë të lëviz brenda vendit.

Por si shtetas, që po qëndron në mënyrë të parregullt në vendin tonë, ai ka një afat 10 ditor, që mund të gjejë punë, ose do të duhet të paraqitet një herë në dy apo tre ditë pranë Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit, për të vërtetuar që ai vazhdon të qëndrojë në Shqipëri.

Në të kundërt, ai mund të dërgohet përsëri në qendrën e Kareçit, nga ku pas sipas procedurës mund të shihet e arsyeshme edhe dëbimi i tij jashtë vendit, pra jo më me urdhër vullnetar të largimit.

Ehsan Bidi, mbërriti në Shqipëri si pjesë e kontingjentit me më tepër se dy mijë Muxhahedinë. Hyrja e tij në vendin tonë u regjistruar në 16 tetor të vitit 2013, me një pasaportë Iraniane.

Dyshimet e Muxhahedinëve janë se Transferimi i Bidit në Shqipëri synonte krijimin e qelizës së një rrjeti spiunimi midis anëtarëve të MEK të transferuar nga “Camp Liberty” në Irak, në Shqipëri.

Qëllimi i këtij misioni ishte sigurimi i informacionit të nevojshëm dhe të hapte rrugën për sulmet e ardhshme terroriste, sipas Muxhahedinëve. /Andi Bora/

Top Channel