Xhaçka nga Kakavija: Testimet do të rriten, kontakte për të shtuar orarin e punës. Kush nuk e ka të domosdoshme të mos udhëtojë

15/08/2020 00:58

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka mbërriti në Kakavijë dhe në një lidhje me edicionin qendror të lajmeve në Top Channel tha se ishin në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet greke, për të rritur numrin e testimeve, si edhe për të shtuar orët e punës në kufi deri në zgjidhjen e kësaj situate.

Zonja Xhaçka kërkoi që kush nuk e ka të domosdoshme udhëtimin drejt Greqisë të kthehet. “Jemi duke ndjekur me shumë vëmendje situatën në pikat kufitare me Greqinë, Qeveria është e angazhuar së bashku me emergjenca civile ku kemi ardhur për ta ndjekur në vend situatën. Mbas vendimit të autoriteteve greke për të vendosur marrjen e certifikatës për një tampon negativ për çdo qytetar që kalon kufirin dhe izolimin për 7 ditë në Greqi.

Po bëjmë shumëçka që të gjithë qytetarëve të mos u mungojnë nevojat bazike. Jemi koordinuar me Ministrinë e Shëndetësisë për të sjellë mjekë dhe ambulanca për qytetarët që kanë nevojë dhe për të marrë masat për të krijuar kushtet higjieno-sanitare për të mos rrezikuar më shumë në kohë pandemie. Me ministrinë e Infrastrukturës kemi sjellë tualete të lëvizshme për ti ardhur në ndihëm qytetarëve dhe bashkë me bashkitë e Dropullit dhe Gjirokastrës po koordinojmë pajisjen me ushqim të të gjitha familjeve që janë në pritje. Ministria e Jashtme është duke komunikuar intensivisht me palën greke, për të bërë të mundur rritjen e testimeve deri në 330 tamponë për orë, por me perspektivën për ti shtuar edhe më këto kapacitete.

Jemi në bisedime Intensive që orari i punës në pikën kufitare të zgjatet përtej orës 22:00 dhe puna të vijojë edhe natën. Kjo nuk është një situatë e vendosur vetëm për Shqipërinë, por mund t’ju them që jemi dukem marrë të gjitha masat që rregullat që ata kanë vendosur jo t’i zhbëjmë por të bëjmë çfarë është e mundur që të shtojnë kapacitete dhe punojnë përtej orës së vendosur.

Jemi këtu për të treguar vëmendjen maksimale të qytetarëve që kanë mbetur nga kjo anë e kufirit dhe jo nga ana tjetër. Është një situatë që për fat të keq që janë përballur jo vetëm vende jashtë BE por dhe vende të BE. Kjo është krijuar nga vështirësitë e pandemisë dhe po punojmë intensivisht që kjo situatë të zgjidhet një orë e më parë. Zgjatja e orarit dhe rritja e intensitetit të punës janë ende tema që po diskutohen intensivisht”- tha Xhaçka

Top Channel