Çfarë fshihet pas emrit Shirokë? Përse mbreti Zog qëndroi vetëm një ditë në vilën e tij historike? Kush ishte shenjti Shën Rrok dhe qeni i tij që shëronte njerëzinë prej murtajës që ra në këtë qytezë afër dy shekuj më parë? Cfarë shënon data 15 gusht në kalendarin e shenjtë të qytetit?
Shiroka është një qytezë që ndodhet më pak se 10 kilometra larg Shkodrës. Dikur quhej qytet kufitar dhe nga ky shkak kishte mbetur krejt në mënjanësi. Tani kufiri dhe shoqëria e vigjilencës nuk janë më si më parë, por Shiroka ka mbetur ajo që ishte: e harruar në bukurinë dhe njëherësh në heshtjen e vet.
Ne kemi ardhur në këtë kënd të mënjantë të verilindjes shqiptare për të përgatitur një dokumentar. Dhe, ndërsa operatori sistemonte aparaturat e veta të regjistrimit, në mendje më vërtitej pandashëm pyetja: Të jetë vërtet një vend ku nuk ndodh asgjë? Vila rezidenciale e ish-mbretit Zog, ku sovrani vinte shpesh në shoqërinë e miqve, për qetësim apo për shije; që e ruan ende hijeshinë dhe salltanetin e vet mbretëror, më duket sikur thotë: Jo, s’ka se si! Këtu gjithnjë diçka ndodh, por nuk shihet ose nuk ka kush e sheh. Jakin Shestani, një prej banorëve të parë shirokas që kemi mundësi të takojmë, na saktëson se, “vilën e mbretit e kanë ndërtue tregtarët e Shkodrës më 1933”, siç patën bërë ata të Durrësit po në ato vite, duke ndërtuar një prej rezidencave më të bukura të të gjitha kohërave, që sot është kthyer në një varrezë luksi. Sipas Jakinit, mbreti “ka ardhë këtu vetëm një ditë dhe s’ka ardhë ma”. Çfarë trilli! Por, tamam në vendin që i shkon trillit! Një vilë për një ditë të vetme!
Shiroka është njëri prej qyteteve të shumta satelite që rrethonin Shkodrën në fund të mesjetës humaniste, krahas me Shasin, Sardën, Drishtin, Danjën, Balëzën, Barletën, Shat e Nënshat, për të përmendur vetëm disa prej tyre. Ishin pikërisht këto qyteza-komuna që ia shtonin rëndësinë Shkodrës si kryeqendër ekonomike dhe kulturore. Disa prej këtyre qytezave u shuan në rrjedhë të kohërave dhe u kthyen në fshatra të rrënuar. Shiroka jo, sepse Shiroka ishte streha qetësuese e parësisë shkodrane, e pasanikëve të qytetit. Shiroka ishte luksi veror i shkodranëve të vjetër, shumë prej të cilëve kishin këtu shtëpitë e veta verore. Në të vërtetë Shiroka nuk u shpall kurrë qytet as në periudhën totalitare, as në dy dekadat e fundme. Nën hijen e Shkodrës, larg udhëve kombëtare, pranë kufirit me ish-Jugosllavinë, ajo përjeton edhe sot jetën e një ishulli. Kur Shqipëria ishte një vend i mbyllur, Shiroka ishte dyfish e mbyllur. Këtu nuk mbahet mend të ketë ardhur ndonjëherë për vizitë ndonjë lider a prijës gjatë më shumë se një gjysmë shekulli. Ishulli me emrin “Shirokë” jeton në vetminë e vet, që rrallë e tek e trazojnë vetëm restorantet dhe kafenetë në breg të liqenit. Në këmbë të Taraboshit hijerëndë, sheh veten në pasqyrën e liqenit të Shkodrës dhe hesht. Gerta Çela, një nxënëse e vogël e kësaj qyteze të harruar, flet me ne si një e rritur dhe përmend shumë gjëra të vlershme të vendlindjes së saj: gjelbërimin, ajrin e pastër, zgjojet e bletëve, por vetëm pasi ka shprehur shqetësimin e saj për ato që ia prishin bukurinë: rrugët e ngushta, papastërtia e bregdetit dhe mbi të gjitha, harrimi. Ndërsa Jakini, një burrë me mendje të drejtpeshuar, i lidhur më fort me Shirokën, nuk e ka aq të lehtë të jetë kritik. Ai kujton se këtë qytezë e bënë të famshme familjet e mëdha, disa prej të cilave të ardhura nga larg, por Radovanët nuk mundet të rrijë pa i përmendur. Dhe mua më vjen ndërmend se mbiemrin Shiroka e ka mbajtur një prej poetëve më zemërdëlirë të Rilindjes, Filip Shiroka, i cili, si për të shënjuar njësinë shqiptare, mbajti një miqësi të fortë e të qëndrueshme me poetin e Zagorisë, Andon Zako Çajupi. Një miqësi që provoi çdo kohë e pengesë dhe nuk u cenua asnjëherë, një miqësi model.
Këtij qyteti ia ka dhënë emrin një shenjtor, Shën Rroku. Vendasit nuk e dinë dhe aq mirë historinë e shenjtit që shëronte vegjëlinë prej murtajës shfarosëse në mesjetë kur jetoi. Madje dhe më besimtarët kur i pyet për qenin e Shën Rrokut, që nuk i ndahet në asnjë ikonë, heshtin dhe thonë: “çka po di veda, diçka don me thanë, po se çfarë s’e di”! Disa vite më parë, kur studiuesit Lucia Nadin e Oliver Schmitt zbuluan “Statutet e Shkodrës” dhe saktësuan se në stemën e qytetit në epokën e humanizmit gjendej dhe një qen, shumë intelektualëve shkodranë nuk u erdhi mirë. Ata dhe sot mendojnë se diçka nuk shkon në këtë heraldikë: me siguri duhet të ketë qenë një luan apo një ujk, siç e kishin Balshajt, por qen jo, kurrsesi. Ndonëse dikur thuajse çdo familje e krishterë shkodrane do ta kishte në mur e do t’i falej “shenjtit me qen”, Shën Rrokut, dita e të cilit përkujtohet në mes të gushtit. As sot e kësaj dite mjekët nuk kanë gjetur shpjegim për mrekullinë e shenjtit që i dha emrin e vet Shirokës, shenjtit që shëronte dhe shpëtonte njerëzit nga epidemia më shfarosëse në histori, murtaja, duke shëtitur nëpër turmat e pashpresa me qenin e tij, që, duke u lëpirë plagët të sëmurëve, i shpëtonte nga vdekja e pashmangshme. Një fakt që as sot mjekët nuk e shpjegojnë dot me fuqinë e terapisë.
Banorët e Shirokës mbajnë në mendje si kujtime tragjike të parësh vitet e murtajës, dhe kjo e shpjegon më së miri përhapjen e kultit të Shën Rrokut, festimin e ditës së emrit të tij, përjetësimin e këtij emri në qytetin e Shirokës dhe ndoshta dhe praninë e qenit në stemën e qytetit-komunë të Shkodrës në mesjetë.
Jakin Shestani, mbiemri i të cilit të kujton anën e pasme të Taraboshit, mendon se emri i Shirokës lidhet me erën e fortë me emrin “shirok”, jo me sllavishten “shiroko” – “i gjerë”. Por kur e pyesim nëse në këtë qytezë ka pasur ndonjëherë sëmundje murtaje, na thotë se kjo ka ndodhur para dy shekujsh dhe ka të paktën 150 vjet që në çdo 15 gusht festohet dita e emrit të Shën Rrokut (St Rocques). Po, ka pasur dhe një epidemi murtaje. Dhe, mbi të gjitha në ditën e Shën Rokut, në Shirokë mblidhen jo vetëm të krishterët, por dhe besimtarët e tjerë, madje dhe ateistë. Duhet të ketë qenë e njëjta epidemi që i ka lënë gjurmët në varret kolektive në Krumë të Hasit, varre jo më të hershme se prej dy shekujsh, mbuluar me sa duket me panik e në ngut.
Shiroka, me paqen, heshtjen dhe vetëfshehjen i ngjan një manastiri. Ose më saktë, një ishulli. E bukur dhe e harruar, joshëse dhe e heshtur, qytet dhe fshat njëherësh, ajo ruan ende misterin e një kohe të vështirë për t’u kujtuar. Por Serder Prozhmaj, një nxënës tjetër që ka pranuar të flasë me ne, na e kthjellon mendimin. Në Shirokë ka shtëpi boll, por për kë? Për dajat dhe hallat, për farefisin turistë? Po ka ca që vijnë nga Tirana.
Sot është e vështirë të përfytyrohet regjimi i një zone kufitare siç ishte Shiroka dhe Zogaj pak më tej. Shenjat e kohës së luftës së ftohtë janë gjithandej: bunkerët, tunelet, rrënojat e postave kufitare. Por disa shenja të tjera janë zhdukur. Për shembull, piramidat. Ato mund t’i gjesh vetëm në foto historike. Ndërsa po të pyesësh për brezin e butë, veçmas për klonin, të rinjtë as që e kanë idenë për çfarë je duke pyetur. Kloni? Ai i filmit? Jo, jo, jo kloni që paraqet filmi, kloni kufitar, rrethimi i kufirit me tela me gjemba, që paralajmëronin menjëherë prekjen në postën e kufirit. Aha! Telat spiunë! Posi, kemi dëgjuar. Dhe një mi po të kalonte, jepej alarmi në postë. Ndërsa brezi i butë “mbante shenjim” gjurmën e atij që tentonte kalimin e kufirit.
Brahan Balani na e shpjegon me durim dhe me imtësi se çfarë ishte kloni, si e rrethonte lufta e ftohtë qytezën. Njerëzit udhëtonin me autorizim. Dhe autorizimet askush nuk e dinte kush i jepte. Sidomos në Zogaj nuk mund të hyhej. Edhe fëmijët vinin shiritin e vullnetarit të kufirit për të vigjiluar. Shiroka e ka përjetuar një gjysmë shekulli regjimin e kufirit. Njerëzit mbajnë mend udhëtimet me autorizim të mysafirëve dhe vizitorëve, kontrollet në autobusët e rrallë, informatorët vullnetarë të lëvizjeve të “të dyshimtëve”, madje dhe fëmijët e instruktuar për të jetuar si jetohet në kufi, me vigjilencë dhe patriotizëm.
E gjithë Shqipëria ishte një bunker i madh. Ashtu siç ishte mendja e lidershipit politik. Mendja e mbyllur i ngjan një parashute të mbyllur: në çastin kritik nuk të vlejnë për asgjë as njëra, as tjetra nëse nuk komandon sustën e hapjes, shkruante një shekull më parë filozofi post-marksist Soren Kierkegard. Peshkatarët, sidomos, dinë shumë histori me arratisje, me trauma që i përjetonin jo vetëm protagonistët por dhe shirokasit.
Dikur Shiroka ishte një qytezë po aq e frikshme sa dhe e hijshme. Hija e kufirit ishte terrorizuese për njeriun. Banorët e vjetër të Shirokës kujtojnë dhjetëra raste të arratisjes së të rinjve nga Shkodra drejt anës tjetër të liqenit, duke shpresuar se në vendin fqinj do të gjenin më shumë liri. Dhe kur ndodhte një arratisje, atëherë gjithë qyteza ishte nën dyshim e hetim. Kush ka ndihmuar, kush e ka ditur e nuk ka treguar.
Arratisjet më të bujshme njihen ato me lyerje me zift ose me ngjyrues të tjerë të fortë, me qëllim që projektorët e rojave të kufirit të mos arrinin të dallonin siluetat e të arratisurve. Shumë herë këto kuturisje të rinjsh të pakënaqur me qeverisjen politike përfundonin në tragjedi. Peshkatarët janë ata që mbajnë mend jo pak prej këtyre tragjedive. Arratisjet ishin një dënim kolektiv për popullatën pranë kufirit. Shpesh të rinjtë e nisur drejt kufirit çorientoheshin në natën e errët të liqenit të nxirë dhe dilnin në Shirokë, ku i priste qeni i kufirit dhe dënimi. Të tjerë i nxirrte liqeni si trupa të pajetë.
Brahan Balani, një banor i fshatit Zogaj, është një prej atyre që mund të dëshmojnë sot për të mbyturit në liqenin e Shkodrës që shpresonin të dilnin në një botë tjetër. “Jam dhe unë dëshmitar që i kena gjetë të mbytur në liqen. Kanë qenë djem të rinj të enjtur, të nximë prej mbytjes. Vigjilenca ka pasë hy në gjak në atë kohë. Edhe fëmijët kur ishin në shkollë venin nji shirit në krah dhe kanë kenë të detyruem me kërkue leje pse ke ardhë”. Shiroka ka parë shumë dëshpërime të tilla, por kujtesa historike ende është në gjendje anestezie. Sikur të kishte në këtë qytezë një muze për luftën e ftohtë? Për regjimin e kufirit, klonin, vigjilencën, frikën prej dyshimit, vullnetarizmin totalitarist? Për udhëtimet me autorizim, ndalimet, kufirin brenda mendjes njerëzore?
Dikur këtu gjendej një kamp pushimi për pionierët dhe një tjetër kamp pushimi për të rriturit. Askush nuk e di si merrej leja për të pushuar në Shirokë. Në vendin ku dikur pushonte dhe mbreti Zog. Bashkë me Visirovën, thonë vendasit, balerinën polake që u bë pjesë e jetës së tij për shumë vite në rini. Por Shiroka nuk ka vetëm shenjtin Rrok, festimet e gushtit, rezidencën mbretërore, kampet e pushimit, liqenin dhe malin, klonin dhe kufirin, piramidat dhe kullat e vëzhgimit, restorantet dhe kafenetë, gjiret e vegjël me rërë e gurishte të imëta.
Shiroka ka shumë më tepër se kaq. Mbi të gjitha, dhuntitë natyrore që nuk i gjen dot diku tjetër. Liqenin bujar me peshkun dhe ngjalat, mbi të gjitha me krapin, që është bërë i pandashëm për gjithë vendbanimet rreth e qark tij. Kuzhinën tradicionale, që ende rishfaqet në restorantet modernë. Freskinë dhe ndryshueshmërinë e peizazhit, që lakohet e spërdridhet si në një mirazh. Diellin dhe hijen e malit me shkëmbinj dhe lule. Historitë e pafundme me humor dhe muzikalitet gjuhësor.
Bashkëbiseduesi ynë, Jakin Shestani nuk pranon krahasime kur vjen puna për liqenin e Shkodrës, cilësinë e krapit dhe të kuzhinës së vendit. “Liqeni i Shirokës asht liqeni ma i thellë në Ballkan. Ka pasë lloje të shumta peshqish, por gjysma asht zhdukë, sidomos trofta, gjuhëza, ushojza, blini; i kan gjuejtë me dinamit, gjuejnë kohë pas kohe”, ankohet me dhimbje Jakini ynë.
Çudia qëndron në faktin që askush nuk është kujtuar për Shirokën si resort sot në kohën e shfrytëzimit. Në mos për tjetër, për t’ia marrë të mirat. Para së gjithash, për ta bërë një vend të vizitueshëm. Nga ky vend morën mbiemra shumë personalitete shqiptare, prej lirikut Filip Shiroka deri tek veprimtari shqiptar në Kosovë, Kolë Shiroka. Thuajse të gjithë tregtarët e mëdhenj të Shkodrës, firmat më të hershme në Shqipëri duke përfshirë ato me mbiemra të sotëm në politikë kishin në Shirokë, në Shëngjin e në Velipojë, magazinat e tyre, depot e rezervave, nga nisnin tregtinë anekënd nëpër vise shqiptare e jashtë. Ndërsa kamera shënjon në mbamendjen e saj elektronike imazhet e qytezës, me gjurmë të hershme e më pak të hershme, ti mendon se këtij ekosistemi që natyra e ka ndërtuar me përkryerjen e vet i është bërë një padrejtësi: është harruar. Jo vetëm nga veprimtarët politikë, por edhe nga shtypi dhe media. Dy herë u përmbyt Shkodra gjatë dy vjetëve me radhë. Shqiptarët mësuan gjeografinë e veriut të vendit përmendësh: nga harku i Bërdicës e Dajçi, deri në lagjet e brendshme të Shkodrës: Bahçellëk, Perash, Xhabije. Por thuajse askush nuk pyeti: po në Shirokë, çfarë po ndodh? Nëse niveli i liqenit e ka mbuluar rrugën automobilistike në njërën anë të Bunës, sigurisht që e ka mbytur dhe në anën tjetër. Por ç’ndodh atje, “në ishull”? Në Shirokë dhe në Zogaj, çfarë ndodh?
Shirokën e ka bekuar “ai atje lart”, thonë vendësit. Bën si bën dhe pa vëmendjen e të tjerëve. Të qendrës së shtetit dhe të qendrës së prefekturës. Pavarësisht se të dyja palët, pas lodhjes së zyrave, prehjen e gjejnë në Shirokë dhe kthehen pa u kujtuar për të. Banorët e saj janë mësuar me këtë mospërfillje. Ata e dinë se dimri shkon e vera vjen, përmbytja zbutet e liqeni zbret, zymtësia hollohet e dielli ridel dhe atëherë Shiroka prapë vjen në vëmendje. S’ka rëndësi nëse amatorët ia shpjegojnë emrin me “shiroko” prej sllavishtes, “vend i gjerë”; apo me “shirok”, erë e ngrohtë. S’ka rëndësi nëse nuk e dinë se ky vend ka një emër të shenjtëruar. Ata vijnë për veten për të shtuar një ditë të jashtëzakonshme në kalendarin e jetës së tyre. Tek e fundit, Shiroka ka qenë një ishull më shumë se ishulli dhe tani parashuta disi është hapur. Veçse Shkodrës diçka nuk i falet: me sytë e saj Shiroka vazhdon të mbetet një qytezë satelit, ashtu si Velipoja; ashtu si qytetet mesjetare në fundin e periudhës arbërore. Dhe ndoshta kjo qe një arsye që këto qytete u shuan nën eklipsin dhe mospërfilljen e qendrës dhe tani janë thjesht nocione historike. Shiroka pret të mos mbetet një “rezervàt teferiçi”, në mund të bashkonim dy fjalë krejt të përkundërta nga burimi; në një vendbanim që rizgjohet sa herë vjen behari ose sa herë nis sezoni i krapit.
Kjo është Shiroka, e djeshmja dhe e sotmja, e bukura dhe e harruara, fshati dhe qyteti, e dashur dhe e nënçmuar, e pasur dhe e rrënuar, tunduese dhe e frikshme, historike dhe jashtë historisë, një nyje shndritëse në peizazhin e mrekullueshëm shqiptar, ku mendja e njeriut duhet të ndalet e të shkojë jo vetëm në dy muaj pushime verore, për një fundjavë harrim apo thjesht për një ekskursion mjedisor; vendi që pret nxënësit e shkollave e liderët politikë, vëmendjen e Shkodrës dhe të Tiranës. Kjo është Shiroka, ku mosvëmendja po i bën njerëzit të shohin prapa dhe ta gjejnë më të mirën tek e shkuara, si Brahan Balani (nga fshati Zogaj): “Unë merrem me peshkim. Gjate viteve të komunizmit s’kena kenë keq. Peshkimi ka kenë në nje ndërmarrje e tanë. Kena pasë dhe gratë që kanë punue në repart qilimash. Për atë kohë nuk kena kenë keq. Duhet me kenë realist”. Por kur njerëzit nisin ta shohin të mirën e tyre prapa, kjo është pikëpyetje e madhe për një shoqëri që mendon të modernizohet.
Top Channel